Neglizhenca e Prokurorisë Liron Makinat që Bartën Drogë

“Drejtësia në Kosovë” shfaqi të premten hulumtimin për tri nga katër makinat që nuk u sekuestruan edhe pse me to u bart drogë.

Katër makinat qenë konfiskuar gjatë një aksioni antidrogë në Mitrovicë, ndërsa hulumtimi i “Drejtësia në Kosovë” zbuloi se tri nga to u lanë të lira për shkak të neglizhencës së prokurorisë.

Në makinat e konfiskuara gjatë aksionit, një “Mercedes Benz 200”, pronë e Bajram Rexhepit, një “Golf 2”, pronar i së cilës është Ibrahim Miftari, një veturë e tipit “Suzuki” e Muhamet Manxhollit dhe një “Sharan” i Hajdin Hoxhës udhëtonin gjashtë persona.

Hajdin Hoxha, njëri nga personat e akuzuar në këtë grup tregoi se si kishte rënë në grackën e policisë ne momentet kur ishte arrestuar.

“Kam punuar si taksist, te stacioni i autobusëve ne Mitrovicë e kam marrë një person me dërgu deri në Koshtovë dhe në rrugë e sipër na ka dalë policia dhe na kanë arrestuar, sepse pasagjerit ia gjetën 4 kilogramë drogë dhe gjithashtu edhe kerrin ma konfiskuan,” tha Hoxha.

Por Hoxha ankohet se makinat e të tjerëve që u kapën gjatë aksionit u janë kthyer pronarëve.

“Para meje i kanë konfiskuar edhe tri kerre tjera dhe i kanë liruar. Bajram Rexhepit me 10 kilogramë drogë në “Mahallën e Boshnjakëve”, gjithashtu Muhamet Manxhollit dhe Ibrahim Miftarit me 10 kilogramë drogë në Zhabar. Unë s’po di a jom tu jetu në Kosovë a ku jam,” theksoi Hoxha.

Muhamet Manxholli nuk deshi të flasë për “Drejtësia në Kosovë” lidhur me lirimin e makinës së tij, por Ibrahim Miftari i tha ekipit të këtij emisioni se makina i është liruar pak kohë pasi ai u arrestua.

“Kerrin e kam pasur të konfiskuar dhe pasi më është kthyer  e kam shitur për njëqind euro në një deponi  të veturave, sepse ka qenë komplet i shkatërruar,“ tha Miftari.

Hulumtimi i “Drejtësia në Kosovë” zbuloi se makinat u liruan, ngase prokuroria muk lëshoi sipas afateve ligjore urdhrin për konfiskim.

Abit Asllani, avokati i Bajram Rexhepit e shpjegoi se si u lirua makina e klientit të tij.

“Gjykata kompetente klientit tim ia ka liruar makinën për shkak së në afatin ligjor nuk është dhënë propozimi për konfiskim nga prokurorja e Prokurorisë së Mitrovicës Vahide Badivuku,” theksoi Asllani.

Prokurorja Badivuku aktualisht ndodhet në paraburgim si e dyshuar se në një rast tjetër të ngjashëm ka kërkuar 20 mijë euro mitë për t’i liruar disa makina të konfiskuara.

Para se të arrestohej dhe paraburgosej, “Drejtësia në Kosovë” i kërkoi sqarime për këto makina prokurores Badivuku, por ajo kërkoi që sqarimet të kërkohen nga Prokuroria Speciale dhe premtoi se pastaj do të përgjigjej edhe vetë.

Por ajo pastaj u arrestua dhe ekipi i “Drejtësia në Kosovë” nuk mundi të marrë sqarime nga ajo.

Eprori i Badivukut, kryeprokurori  Shyqyri Syla, e pranoi se prokurorja Vahide Badivuku e ka lëshuar afatin për konfiskim dhe tregoi se për çësjtjen e prokuroress e ka dërguar në Zyrën e Prokurorit Disiplinor.

“Tani kjo lëndë ndodhet në Prokurorinë Speciale të Kosovës, sepse unë kam konsideruar që kemi të bëjmë më krim të organizuar. Gjithashtu kam vërejtur së prokurorja Badivuku e ka lëshuar afatin për kërkimin e konfiskimit dhe për këtë veprim unë  e kam denoncuar në komisionin disiplinor,” tha Syla.

Zef Pendrecaj nga Zyra e Prokurorit Disiplinor e konfirmoi për “Drejtësinë në Kosovë” se e ka pranuar ankesën ndaj prokurores Badivuku.

“Nuk mund të jap më shumë detaje, po e konfirmoj se e kemi pranuar ankesën e kryeprokurorit të Mitrovicës ndaj prokurores Badivuku,” theksoi Pendrecaj.

Lënda e Hajdin Hoxhës të cilit vazhdon t’i mbahet e konfiskuar vetura është dërguar nga Prokuroria e Mitrovicës në Prokurorinë Speciale.

Këtë lëndë e ka marrë prokurori Besim Kelmendi, i cili u kontaktua nga “Drejtësia në Kosovë” për të folur për të, por përgjigjet u dhanë nga zëdhënësja e Perokurorisë Speciale Liridona Kozmaqi.

“PSRK-ja pas shqyrtimit të shkresave të këtij rasti penal ka konstatuar së në këtë çështje penale derisa ka qenë rasti në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, janë sekuestruar përkohësisht edhe katër automjete, mirëpo për shkak të lëshimit të afateve për të paraqitur kërkesë për masën e sigurisë për automjetet e sekuestruara përkohësisht Gjykata Themelore në Mitrovicë ka vendosur që tri nga katër automjetet e sekuestruara t’ua kthejë pronarëve për shkak të mosrespektimit të këtyre afateve,” tha Kozmaqi me anë të postës elektronike.

Kozmaqi bëri të ditur se makinat në të cilat u gjet drogë janë liruar përkohësisht.

“Prokuroria Speciale me aktakuzën e lartcekur ka propozuar që të bëhet konfiskimi i përhershëm i të gjitha automjeteve që ishin sekuestruar përkohësisht, si mjete që janë shfrytëzuar për kryerjen e veprave penale, sepse kthimi i veturave që ishin sekuestruar përkohësisht ka nënkuptuar vetëm kthimin e përkohshëm e jo edhe kthimin e përhershëm të tyre, ngase çështja e konfiskimit të përhershëm mund të vendoset vetëm në shqyrtimin gjyqësor, e jo në procedurën paraprake,” sqaroi Kozmaqi.

Por nuk dihet se si do të rikonfiskohet makina e Ibrahim Miftarit e cila tashmë është shitur për skrap.