Gjykimi per krim te organizuar

Gjykimi kundër 12 të akuzuarve për drogë dhe krim të organizuar

Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës ka vazhduar seanca e shqyrtimit gjyqësor kundër të akuzuarve Muhamet Mangjollit, Hajdin Hoxha, Avni Mehana, Nehat Haliti, Fehmi Veseli, Bajram Rexhepi, Florim Zeneli, Fehmi Smakiqi, Jovan Jovanoviq, Ibrahim Miftari, Tafil Zeqiri, Tahir Zeqiri.

12 të lartëcekurit nga Prokuroria Speciale akuzohen se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal  të organizuar”.

Prokuroria Speciale e Kosovës pretendon se nga dhjetori i vitit 2013 deri në prill të vitit 2014, personat e lartëcekur, duke vepruar si grup i organizuar dhe në bashkëpunim më të dyshuarin Lutfi Peca dhe një person tjetër të quajtur Faik, të dy nga Kukësi i Shqipërisë kanë poseduar, blerë e shitur substanca narkotike të llojit marihuanë.

Kurse, pas një kontrolle policore të bërë në dhjetor të vitit 2013 në veturën “GOLF 2” pronë e të pandehurit Ibrahim Miftari, i cili njëkohësisht kishte qenë edhe duke e drejtuar atë ishte gjetur dhe sekuestruar substancë narkotike e llojit marihuanë në sasi prej 9 kilogram e 993.7 gram.

Sipas akuzës në veturën e të pandehurit Ibrahim Miftari kishte qenë edhe i pandehuri tjetër Nehat Haliti.

Sasinë e narkotikut të gjetur në veturë e kishte blerë Muhamet Mangjolli nga i pandehuri tjetër Avni Mehana.

Mangjolli ishte zënë në të njëjtën kohë dhe vend me veturën e tij SUZUKI duke përcjellë veturën GOLF II në të cilën edhe kishte qenë i vendosur narkotiku.

Ndërsa në shkurt të vitit 2014-ës, po ashtu gjatë një kontrolle të policisë së Kosovës në rrugën magjistrale Mitrovicë-Ulqin, në afërsi të frashtit Kushtovë të Mitrovicës, në veturën e të pandehurit Hajdin Hoxha dhe me të kishte qenë edhe i pandehuri tjetër Fehmi Veseli, ishin gjetur dhe sekuestruar narkotikë të llojit marihuanë në sasi 4kg e 0.84gr.

Gjithashtu, sasi e narkotikut të po të njëjtit lloj, por në sasi prej 9kg e 200gr., ishte gjetur edhe pas kontrollit në veturën e të pandehurit Bajram Rexhepi në veri të Mitrovicës.

“Gjithë kjo sasi e narkotikut ishte blerë me qëllim të shitjes nga i dyshuari Lutfi Peca nga Kukësi i Shqipërisë, i cili dyshohet se është organizator dhe udhëheqës i këtij grupi kriminal”, thuhet në aktakuzë.

I pandehuri Muhamet Mangjolli gjithashtu në nëntor të vitit 2013 në qytetin e Mitrovicës së bashku me të pandehurin Fehmi Smakiqi kishin marr nga i pandehuri tjetër në këtë rast Florim Zeneli, një sasi prej 3.5 kilogram si kundërvlerë të një veture të tipit Audi, të cilën e kishte në shfrytëzim i pandehuri Muhamet Mangjolli.

Në këtë rast i akuzuar është edhe Jovan Jovanoviq, i cili kishte munguar edhe në seancën e kaluar, ndërsa në këtë seancë pasi që nuk pati kundërshtime nga mbrojtësi i tij avokati Bedri Miftari dhe prokurori i rastit Naim Abazi për të njëjtin është veçuar procedura nga ana e gjyqtarit të rastit Burim Ademi.

I pandehuri i parë në këtë rast Muhamet Mangjolli, gjithashtu është i akuzuar edhe për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, por në seancat e mëhershme ai e kishte pranuar fajësinë lidhur me këtë vepër penale.

Pas leximit të akuzës nga ana e prokurorit, 11 të pandehurit e mbetur u deklaruan lidhur me fajësinë e tyre.

Ndërsa i pandehuri Muhamet Mangjolli ka deklaruar së nuk e ndien veten fajtor sa i përket veprës penale për krim të organizuar. Por i njëjti ka thënë se nuk i mohon pretendimet e prokurorisë lidhur me faktin se kishte marr veprime të tilla si në akuzë sa i përket substancave narkotike.

Gjithashtu edhe të pandehurit tjerë kanë deklaruar së nuk ndihen fajtorë për veprën penale krim i organizuar, siç pretendon prokuroria.

Shqyrtimi gjyqësor ka vazhduar me dhënien e fjalës hyrëse nga ana e prokurorit Naim Abazi si dhe mbrojtësve të të pandehurve.

Prokurori Abazi fjalën hyrëse ia ka dorëzuar me shkrim trupit gjykues, të njëjtën e ka elaboruar edhe gjatë seancës.

Avokatët e 11 të akuzuarve kanë deklaruar se gjatë shqyrtimit gjyqësor do të vërtetohet së të mbrojturit e tyre nuk janë fajtorë lidhur me veprën penale me të cilën akuzohen nga prokuroria.

Tutje gjykimi ka vazhduar me administrimin e provave për të cilat ka pasur kundërshtime në kuptim të mbrojtjes.

Kjo seancë është ndërprerë për shkak se kryetari i trupit gjykues, Burim Ademi ka njoftuar palët se duhet të hyjë në këshillim dhe votim për një çështje tjetër penale.