Foto: KALLXO.com

Gjykimi i ish-ministrave të Qeverisë Thaçi për privatizimin e hidrocentraleve, eksperti tregon për dëmin mbi 1-milionësh nga qiraja mujore

Në Gjykatën e Prishtinës ka vazhduar gjykimi i ish-ministrave të Qeverisë Thaçi 2: Besim Beqaj, Mimoza Kusari- Lila, Dardan Gashi, Nenad Rashiq, si dhe i Arben Gjukës dhe Fllanza Hoxhës, të akuzuar në lidhje me privatizimin e hidrocentraleve.

Sot dëshminë e tij në cilësi të ekspertit e dha Agim Sheqiri.

Ai tha se qëndron në tërësi pranë ekspertizës financiare të cilën e kishte përpiluar në lidhje me këtë rast.

Sheqiri shtoi që sipas konstatimeve të tij hidrocentralet është dashur të mbeten pronë e KEK-ut.

“Mendimi im dhe vlerësimi im është që hidrocentralet është dashur të mbeten pronë e KEK-ut” – shtoi eksperti financiar.

Sheqiri tutje theksoi që rregullat kanë treguar që katër hidrocentralet nuk mund të privatizoheshin.

Ai deklaroi që dëmi i shkaktuar vetëm nga qiraja mujore për periudhën e mbetur të koncesionimit arrinte vlerën mbi 1 milion euro.

Eksperti sqaroi se hidrocentralet që prodhonin më shumë se 5 megavatë energji elektrike sipas rregullave duhej të licencoheshin dhe se nuk ishte në dijeni se katër hidrocentralet a ishin të licencuara apo jo.

Ndërsa Arben Gjukaj, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, kërkoi nga eksperti financiar që të specifikonte se cilën prej marrëveshjeve e kishte nënshkruar Gjuka.

“Keni nënshkruar marrëveshjen për furnizim me energji apo marrëveshjen për implementim”, tha Sheqiri.

Në fund në pyetjen e përfaqësueses së KEK-ut se a kishte kundërshtime nga menaxhmenti i KEK-ut për privatizimin e katër hidrocentraleve, dëshmitari tha se përkundrazi, ata kanë qenë pro privatizimit.

Seanca e radhës në lidhje me këtë rast pritet të mbahet më 10 tetor, kur do të bëhet administrimi i provave.

Sipas Prokurorisë Speciale, të akuzuarit Besim Beqaj, kryesues i Komitetit Qeveritar për Privatizim, Mimoza Kusari- Lila, Nenad Rashiq, Dardan Gashi dhe Lorik Fejzullahu, anëtarë të Komitetit Qeveritar për Privatizim (KQP), në cilësi të personave zyrtarë, me qëllim që t’i mundësojnë çfarëdo dobie pasurore personit tjetër dhe që t’i shkaktojnë dëm personit tjetër, i kanë tejkaluar kompetencat e veta.

Në aktakuzë pretendohet se të njëjtit kanë vepruar në kundërshtim me detyrat dhe të drejtat e tyre të përcaktuara si anëtarë të këtij Komiteti, pasi që më 08.05.2013, njëzëri kanë votuar që hidrocentralet të cilat prodhojnë energji elektrike si: Hidrocentrali i Lumbardhit, Hidrocentrali në Burim, Hidrocentrali i Radavcit dhe Hidrocentrali “Dikancë”, të transferohen te KKDFE dhe më pas të privatizohen nga kompania “Limak-Calik”.

Po ashtu, në të njëjtën ditë sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, janë nënshkruar marrëveshja për importe, për transferim, për furnizim, për implementim, për borxhe.

“Me nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve ishte përmbyllur procesi i privatizimit të KKDFE-së, përkundër faktit se të njëjtat nuk është dashur të transferohen dhe privatizohen, për arsye se një veprim të tillë e ndalon baza ligjore, Ligji për rregullatorin e energjisë elektrike nr.05/L-084, neni 35, paragrafi 4, të njëjtat asete kanë qenë nën koncesion si dhe rekomandimi i IFC ka qenë që të njëjtat të mbesin në kuadër të KEK” – thuhet në aktakuzë

Tutje në aktin akuzues ndaj ish-ministrave të Qeverisë ‘Thaçi 2” theksohet se të akuzuarit “kanë dëmtuar interesat e kompanisë KEK si dhe aksionarit – Qeveria e Republikës së Kosovës, konkretisht vetëm për qira mujore për periudhat e mbetura të koncesionimit në shumën prej 1,054,000.00 euro, sepse e njëjta duhet t’i paguhet KEK-ut e jo kompanisë privatizuese, si dhe pas përfundimit të koncesionimit, të njëjtat ngelin në pronësi të kompanisë privatizuese”.

Më tej në aktakuzë thuhet se dëmi tjetër i shkaktuar direkt është vlera e investuar (shtuar) në hidrocentrale prej 12,628,166.41 euro, që nuk përfshinë vlerën e aseteve  para koncesionimit, sepse KEK-u nuk ka bërë regjistrimin dhe nuk ka prezantuar vlerën e aseteve para privatizimit, por privatizimi është bërë sipas vlerës së mjeteve të bazuara në regjistrimin e vitit 2003.

Prokuroria pretendon se me këto veprime të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Pas parashtrimi të kërkesave për hedhje të aktakuzës nga mbrojtja, Gjykata ka pushuar procedurën penale për shkak të parashkrimit relativ të ndjekjes penale për të akuzuarit Fadil Çitakut, Mujë Rugova, Agim Nika, Flamur Keqa, Izet Ibrahimi, Gani Jashari, Burim Besha, Gelor Shala, Naim Hyseni, Avni Alidemaj, Besnik Haziri, Lorik Fejzullahu, dhe Krenar Bujupi.