53 Milionëshi - Ekpserti i prokurimit: Marrëveshja për zgjatjen e afatit të përfundimit të punimeve ishte nënshkruar pa kosto financiare.

Gjykimi ndaj ish-ministrit të infrastrukturës, Pal Lekaj dhe tre zyrtarëve të tjerë në lidhje me ekzekutimin e 53 milionë eurove, ka vazhduar me dëgjimin e ekspertit të prokurimit, Agim Sheqiri dhe një përfaqësuesi nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik, Ismail Rushiti.

Për këtë rast pos ish-ministrit Lekaj, të akuzuar janë edhe tre zyrtarët e tjerë, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri.

Fillimisht si dëshmitar ka proceduar Rushiti, kurse pas tij radha për të dëshmuar i erdhi ekspertit të prokurimit Agim Sheqiri, i cili ishte propozuar që të dëgjohet si dëshmitar nga mbrojtësi Urim Vokshi, i cili përfaqëson Besim Tahirin.

Sheqiri konfirmoi se në ekspertizën e tij financiare që ka përpiluar për këtë rast kishte marrë për bazë rekomandimin e kompanisë mbikëqyrëse Hill International.

Eksperti konfirmoi atë që kishte përpiluar në ekspertizë, se të akuzuarit kanë vepruar në kundërshtim me ligjin e prokurimit publik, kurse mbrojtësi Vokshi kërkoi nga eksperti që të specifikoheshin dispozitat ligjore të prokurimit publik me të cilat ekspertiza thotë se të akuzuarit kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik.

“Statuti ka qenë akt bazë i cili është dashtë të respektohet nga çdo palë, individ apo zyrtar i cili është përfshirë në këtë projekt duke përfshirë edhe klientin e juaj {Besim Tahiri}”- u përgjigj eksperti, Sheqiri.

Sheqiri nuk pati përgjigje lidhur me këtë pyetje edhe pas insistimit të mëtejmë të mbrojtësit Vokshi.

Vokshi parashtroi pyetje lidhur me përmbajtjen e kontratës, duke pyetur ekspertin se cilat kushte të kontratës nuk ishin zbatuar ato të përgjithshmet apo të veçantat.

Ekpserti tha se dispozitat e kontratës nuk ka pasur kushte të përgjithshme apo të veçanta.

“Kontrata nuk ka dispozitë të përgjithshme apo të veçanta kushtet të cilat përmbahen nuk respektohen”- u përgjigj Sheqiri.

Pyetje dëshmitarit i parashtroi edhe prokurori, Valdet Gashi, duke kërkuar sqarim lidhur me llojin e kontratës lampson – çmim fiks.

“Një ndër tipet e kontratës është lampson apo çmim fiks. Do të thotë, i bie që i gjithë projekti do të përfundojë në bazë të vlerës të kontratës që është nënshkruar me atë vlerë që u nënshkruar me ata ka përfunduar, që nënkupton rreziqet i bartë kontraktori përsipër, lejohet mundësia e aneks kontratës e 10% e punës shtesë që në këtë masë të rritet vlera apo baza e kontratës për punët që nuk janë paraparë në kontratën fillestare”- vazhdoi dëshminë eksperti.

Gashi kërkoi shpjegim lidhur me 10 përqindëshin, “10 perqindëshi mund të bëhet edhe për punë që janë brenda kontratës por edhe për punë që nuk janë të përfshira në kontratë por që janë të rëndësishme të implementohen brenda projektit. Në rastin konkret është paraparë që ky 10 perqindësh me u nda në dy pjesë, 5% në emër të tantiemës dhe 5 për qind për shtim të sasive dhe vëllimit të punëve”- u përgjigj Sheqiri.

Sheqiri tha se marrëveshja për zgjatjen e afatit të përfundimit të punimeve ishte nënshkruar pa kosto financiare.

“Po sigurisht çdo lloj marrëveshje paraprakisht duhet të caktohet kostoja”- tha Sheqiri.

Sheqiri tha se vendimi për pagesën për ekzekutimin e 53 milionë eurove nga komitetit drejtues ndërministror ka shkuar në Qeveri për aprovim.

Ky rast është duke u gjykuar në departamentin special të gjykatës së Prishinës, nga kryetarja e trupit Gjykues, Violeta Namani.

Kujtojmë që sipas PSRK-së, ndonëse të pandehurit kanë qenë në njohuri që sipas aneks-kontratës kostoja shtesë në emër të shtyrjes së afatit të punimeve të jetë 14 milionë e 778 euro, me dashje kishin nënshkruar një marrëveshje të re pa kosto.

Aktakuza thotë se Lekaj kishte caktuar Eset Berishën që të marrë pjesë në negociata për arritjen e marrëveshjes me “Bechtel & Enka” ku ata pajtohen që në emër të zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve, Ministria e Infrastrukturës t’i paguajë koston shtesë në vlerë prej 53 milionë e 100 mijë euro.

Sipas Prokurorisë, historia nis në vitin 2017 kur Ministria që drejtohej nga Pal Lekaj nënshkroi një marrëveshje me kompaninë “Bechtel-Enka” për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve në autostradën Prishtinë-Hani i Elezit për 347 ditë të tjera duke mos përcaktuar koston financiare.

Kjo, sipas aktakuzës, i kishte hapur rrugë kompanisë që më datën 27 nëntor 2017 të paraqes një kërkesë në Ministrinë e Infrastrukturës për pagesë të shumës shtesë “Briefing Package” në vlerë prej 63 milionë euro në emër të “zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve”.

Kërkesa e njëjtë më pastaj ishte zbritur në 53 milionë e 100 mijë euro e cila edhe ishte ekzekutuar më 5 qershor të vitit 2018 nga Qeveria e Kosovës.