Gjykimi për përvetësimin e mbi 1 milion eurove – dëgjohet eksperti financiar në Gjykatën e Prishtinës

Eksperti financiar Agim Sheqiri është paraqitur sot para gjykatës që të dëgjohet në rastin e përvetësimit të mbi 1 milion eurove nga zyrtarët e AKPPM-së.

Për këtë rast, Sheqiri i është përgjigjur pyetjeve të prokurorit special Haki Gecaj dhe u deklarua se qëndron në tërësi pranë ekspertizës të cilën e ka përpiluar.

Po ashtu Sheqiri shtoi se lidhur me shpenzimet e parave publike zyrtari përgjegjës duhet të lë një nënshkrim në thesar e më pas në dokumentacionin përkatës të shpenzimeve për secilin proces të shpenzimit.

Tutje në seancë, Sheqiri i është përgjigjur edhe pyetjeve të avokatëve mbrojtës Ali Beka dhe Skënder Musa.

Në përgjigjet e tij Sheqiri tha se shumën e parave të cilën e ka konsideruar si dëm të shkaktuar në ekspertizë ai e ka bazuar në provat të cilat i ka ofruar prokuroria.

Lidhur me rastin Sheqiri tha se kanë qenë të ditura shifrat e sakta të cilat janë dedikuar për avanse dhe se në rastin konkret konsideron se ka pasur lëshime.

Në vazhdim avokati Skënder Musa këtë ekspertizë e konsideroi si të pa ligjshme dhe gjatë seancës kërkoi nga gjykata që atë ta hudhë në mënyrë që të hapet rrugë për një ekspertizë të re.

Këtë kërkesë të avokatit Musa, gjykata e refuzoi me arsyetim se ekspertiza në fjalë është e ligjshme.

Edhe avokati Beka i propozoi gjykatës dëgjimin e Dem Rexhepit dhe Fejzullah Fejza në cilësinë e dëshmitarëve.

Ndërsa avokati Musa po ashtu kërkoi nga gjykata që t`i siguroj raportet e auditimeve të brendshme dhe të jashtme  për periudhën kohore që flitet në aktakuzë.

Këto propozime të mbrojtjes gjykata i aprovoi dhe caktoi seancat e radhës në muajin tetor.

Mendim Sojeva si udhëheqës i financave në Agjensinë Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM) akuzohet se kishte tërhequr mbi 1 milion euro.

Këtë shumë akuzohet se e kishte tërhequr në emër të avanseve për udhëtime zyrtare të cilat nuk ka dëshmi se ishin aprovuar paraprakisht nga menaxhmenti.

Sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK) përmes këtyre veprimeve Sojeva i ka shkaktuar dëm buxhetit të shtetit mbi 1 milion euro.

Përpos akuzës për përvetësim në detyrë ai akuzohet edhe për veprën penale të hyrjes në sisteme kompjuterike.

Këtë vepër akuzohet se e ka kryer së bashku me zyrtaren për shpenzime Ganimete Gashi- Ahmeti.

PSRK pretendon se të akuzuarit në mënyrë të pa autorizuar kanë hyrë në Sistemin Informativ të Financave të Kosovës (SIMFK), me fjalëkalim të personave zyrtarë të Ministrisë së Financave të departamentit të Thesarit.

Sipas aktakuzës ata kanë mbyllur avanset duke bërë regjistrimin si shpenzim me certifikim të avanseve për udhëtime zyrtare, të tërhequra nga banka me user-a të zyrtarëve të AKPPM-së.