Pse Ministria e Shëndetësisë ka paditur Organin Shqyrtues të Prokurimit?

Në debatin për tenderin e Ministrisë së Shëndetësisë për insulina është folur edhe për padinë e Ministrisë së Shëndetësisë ndaj Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

Eksperti shqyrtues i OSHP-së, Agim Sheqiri, tha se janë pesë vendime të Gjykatës për këtë tender që hedhin poshtë padinë e Ministrisë.

“Janë pesë vendime të Gjykatës për këtë tender, ia hedhin poshtë padinë Ministrisë së Shëndetësisë, edhe kompanisë ‘Meditech’. Padia është për masën e sigurisë” – ka thënë Sheqiri.

“Paneli shqyrtues i OSHP nuk e ka për obligim që të respektojë medoemos raportin e ekspertit. Ligji dhe procedurat ia lejojnë që ata të vendosin vetë. Vota është vetëm një, është trup gjykues. Kryetarja nuk ka votë më shumë se anëtarët e tjerë” – ka thënë tutje ai.

Ndërsa avokati i kompanisë ‘Pharma Leader’, Qendrim Arifaj, tha se vendimi i Gjykatës për padinë e Ministrisë është vendim i formës së prerë.

“I kam dy vendimet e Gjykatës. Vendimi thotë se hedhet poshtë kërkesa për masën e sigurisë dhe padia e Ministrisë së Shëndetësië. Ky vendim i shkallës së parë… edhe Apeli thotë se refuzohet si e pabazuar ankesa e Ministrisë së Shëndetësisë. Është vendim i formës së prerë” – ka thënë Arifaj.