Tenderi i bllokuar për insulina, eksperti komenton kriteret e Ministrisë së Shëndetësisë

Agim Sheqiri, ekspert shqyrtues i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), ka thënë se kriteret e vendosura nga Ministria e Shëndetësisë në tenderin e bllokuar për insulina kanë qenë të vendosura nga vetë Ministria dhe si të tilla është dashur të respektohen deri në fund.

Në emisionin “Kallxo Përnime” eksperti Sheqiri tha se tenderi i Ministrisë së Shëndetësisë po diskutohet që nga viti 2020.

“Është diskutu që është bo në dhjetor të 2020-ës si procedurë, autoriteti kontraktues, pra Ministria e Shëndetësisë, i ka vlerësuar nevojat e veta. Fillimisht bëhet një planifikim, vlerësohet nevoja, ndahet buxheti, vendosen kriteret që duhet me u apliku, për një furnizim për me qenë në kuptim të sigurisë së cilësisë dhe kualitetit edhe kuantitetit, edhe vendosen në dosje të tenderit” – ka thënë Sheqiri,

“Edhe ato kritere që janë përcaktuar në dosje, është obligim ligjor me u respektu. Janë kritere kualifikuese, që nënkupton kritere të përzgjedhjes, qoftë administrative, qoftë teknike, qoftë profesionale”.

Tutje, ai ka thënë se një kompani për t’u kualifikuar për tender duhet të plotësojë të gjitha kriteret.

Sheqiri ka bërë të ditur se Ministria e Shëndetësisë në fillim për kontratë ka rekomanduar kompaninë ndaj të cilës sot po e drejton gishtin që nuk i plotëson kriteret.

“Në njërën anë kompania duhet me u kualifiku, duhet me qenë e përgjegjshme në atë kuptimin e terminologjisë të prokurimit publik, që i plotëson të gjitha kërkesat, qoftë ato ligjore, qoftë ato administrative, qoftë financiare” – ka thënë ai.

“Këtë kriter vetë autoriteti kontraktues fillimisht e ka përzgjedhur si të suksesshëm kompaninë “Pharma Leader”” – tha ai.