Gjykata vendos për Daut Goranin, mjekun e akuzuar në Rastin "Stenta 2"
Departamenti Special i Gjykatës së Prishtinës ka marrë vendim me të cilin e ka liruar nga akuzat për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje, si dhe marrje ryshfeti, doktor Daut Goranin, njërin nga të akuzuarin për të cilin ishte veçuar procedura në rastin e njohur si “Stenta 2”.
Në seancën e 16 gushtit 2023, procedura ndaj të akuzuarit Daut Gorani ishte veçuar për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.
Ky vendim u mor nga trupi gjykues në përbërje të Suzana Qerkinit – kryetare, Lutfi Shala dhe Mentor Bajraktari – anëtarë.
Sipas aktakuzës, 37 kardiologët akuzoheshin për keqpërdorim të detyrës zyrtare – dhënie e marrje ryshfeti, në atë mënyrë që pacientëve iu lëshoheshin letra refuzuese me qëllim të trajtimit të tyre jashtë institucioneve publike shëndetësore.
Kardiologët akuzoheshin se kishin udhëzuar pacientët që kërkonin trajtim në Spitalin e Shtetit, që të njëjtat trajtime t’i kryejnë në Spitalet Private.
Në këtë rast ishin akuzuar mbi 62 persona, në mesin e të cilëve edhe zyrtarë të lartë publikë e punonjës shëndetësorë, të cilët kishin përfunduar në akuza të Prokurorisë Speciale për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrja e ryshfeti, dhënia e ryshfetit, trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor, ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe shmangia nga tatimi.
Për shkak të numrit të madh të të akuzuarve dhe menaxhimit më të lehtë me rastin, në shkurt të vitit 2018 rasti ‘Stenta’ u nda në tri pjesë, të akuzuarit, ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani dhe ish-sekretari i Përgjithshëm i kësaj ministrie, Gani Shabani, u gjykuan veçmas në rastin ‘Stenta 1’, ndërsa 37 mjekë të spitaleve publike akuzoheshin në rastin e njohur si ‘Stenta 2’, ndërsa pronarët dhe mjekët e spitaleve private janë pjesë e rastit ‘Stenta 3’.
Gjykata merr vendim për 36 mjekët që akuzoheshin për mito e keqpërdorim të detyrës