Foto: Aulona Alaj- KALLXO "Stenta 2" (31.5.2023)

Historiku i gjykimit maratonik të rastit 'Stenta 2'

Pas më shumë se 7 vite apo 2,654 ditë nga ngritja e aktakuzës, ka prekur fundin procedura gjyqësore ndaj 36 mantelbardhëve të cilët akuzohen se kishin udhëzuar pacientët që kërkonin trajtim në Spitalin e Shtetit, që të njëjtat trajtime t’i kryenin në Spitalet Private.

Gjykata Themelore e Prishtinës i ka liruar të mërkurën nga akuza 36 të akuzuar pas mungesës së provave.

Ata po akuzohen se në cilësinë e personave zyrtarë, e atë të mjekëve kardiologë në institucione publike, për çdo pacient që referohej për vendosje të Stentave dhe procedurave të tjera mjekësore, brenda gamës së kardiologjisë në spitalet Private, merrnin para në formë të mitos.

Të pandehurit akuzoheshin se kanë lëshuar letra-referuese për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore, së paku 233 personave.

Me këto veprime ata akuzohen se kanë shkaktuar dëme. Këto veprime Prokuroria i ka cilësuar si keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrja e ryshfetit.

Ndërkaq rasti mori sot epilog nga Departamenti Special i gjykatës së shkallës së parë, ku 36 kardiologët e akuzuar u liruan nga të gjitha akuzat në mungesë të provave. 

Procedurat ligjore lidhur me këtë rast e ka zanafillën me 26 maj të vitit 2014 me rastin e ngritjes së Kallëzimit Penal.

Një muaj më vonë filluan hetimet me aktvendimin e 16 Qershorit të vitit 2014,  të cilat u zhvilluan kundër 116 personave fizik dhe 4 personave juridik.

Brenda aktakuzës së prokurorisë përfunduan plotë 64 persona përderisa 56 të tjerë nuk u përfshinë në aktakuzë për shkak të mos plotësimit të kushteve ligjore, ndërsa për kardiologun Afrim Bekteshi Prokuroria kishte hequr dorë nga ndjekja penale.

Rast ky i cili tash e 7 vite mban epitetin e rastit “Stenta”, e që tashmë është i ndarë në tri pjesë gjithsej.

Sipas aktakuzës veprimet inkriminuese dyshohet të jenë kryer në periudhën 2011 – 2015 ku më pas këto dyshime të Prokurorisë u konkretizuan dy vite më vonë me rastin e ngritjes së Aktakuzës me datë 21 tetor të vitit 2016.

Mirëpo, kësaj here aktakuza nuk ishte ngritur nga Prokuroria por nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit – Besim Kelmendi.

Kjo shkaktoi zhurmë me ç’rast mbrojtja e Ferid Aganit dhe Gani Shabanit kishin ngritur si çështje ligjshmërinë e kësaj aktakuze duke e quajtur atë të kundërligjshme për shkak të subjektit që e ka ngritur atë.

Tani për tani aktakuzën po e përfaqëson Prokurorja e Prokurorisë Speciale, Florije Shamolli, e cila në fjalën përfundimtare kishte bërë një ndryshim të aktakuzës sa i përket dëmit të shkaktuar nga të akuzuarit e që me ndryshimin e bërë del të jetë vlera prej 11 mijë e 430 euro që iu shkaktua dëm buxhetit të shtetit.

Në seancën e shqyrtimi fillestar të mbajtur në shkurt të vitit 2018, të gjithë të akuzuarit qëndruan prapa pafajësisë së tyre.

Këtë qëndrim të akuzuarit vazhduan ta mbajnë deri në përmbylljen e këtij gjykimi maratonik.

Numri i konsiderueshëm i të akuzuarve bëri që rasti të ndahet në tre pjesë nga tani e ndjera gjyqtarja Shadije Gërguri.

Pjesa dërrmuese e të akuzuarve përbëjnë rastin “Stenta 2” i cili përfshinte 39 kardiologë të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje ryshfeti.

Bedri Zahiti dhe Reshat Emra kanë vdekur dhe sipas Kodit të Procedurës Peb, procedura penale ndaj tyre shuhet.

Kurse për gjashtë të akuzuar të tjerë lënda është veçuar.

Pjesë e këtij grupi të të akuzuarve ishte edhe Daut Gorani. Për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, palët në procedurë janë pajtuar që ndaj tij të veçohet procedura.

Kështu rezulton se rasti “Stenta 2” sot mori epitet për 36 mjekët e mbetur në grupin e këtyre të akuzuarve të cilët janë: Gani Bajraktari, Faik Shatri, Hamza Selmani, Banush Gashi, Fisnik Hima, Kelmend Pallaska, Daut Gorani ( për të cilin është vecuar procedura), Hajdin Qitaku, Agim Krasniqi, Ejup Pllana, Edmond Haliti, Afrim Poniku, Nehbi Musliu, Dardan Koqinaj, Avni Batalli, Xhevdet Krasniqi, Lazër Prekpalaj, Rexhep Manaj, Nehat Rexhepaj, Florim Sadiku, Lulzim Kamberi, Halim Haliti, Agron Leka, Agron Besimi, Galina Berisha, Bajram Mziu, Driton Miftari, Besnik Koliqi, Mirdi Strana, Shemsedin Shabollari, Besim Guda, Bajram Preteni, Ismajl Avdimetaj, Petrit Ademaj, Aferdita Selmanaj, Salih Shala, Luan Pazhari.

Rasti “Stenta 2” tani u gjykua nga trupi gjykues në përbërje nga Suzana Qerkini – kryetare, Mentor Bajraktari dhe Lutfi Shala – anëtarë.

“Stenta 1” përbën pjesën e parë ku të akuzuar kanë qenë ish – ministri i shëndetësisë Ferid Agani dhe ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Gani Shabani.

Të pandehurit akuzoheshin se me veprimet e tyre kishin lejuar pagesat për trajtimin e pacientëve jashtë institucioneve publike shëndetësore për periudhën 2011 -2015.

Veprime këto që ishin në kundërshtim më Ligjin për Prokurimin Publik dhe udhëzimet administrative të Ministrisë së Shëndetësisë.

Paraprakisht, Agani dhe Shabani ishin shpallur fajtorë në prill të vitit 2019 nga gjyqtarja Shadije Gërguri.

Me këtë vendim Agani ishte dënuar me 2 vite e gjashtë muaj burgim ndërsa 2 vite burgim ishte dënuar i bashkëakuzuari Shabani.

Ankesën kundër këtij aktgjykimi dënues e kishte parashtruar mbrojtësi i Ferid Aganit, avokati Adem Vokshi.

Mirëpo pash shpalljes së këtij aktgjykimi rasti ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit me bazën e shkeljeve procedurale.

Pasi që lënda u kthye në rigjykim rastin e ka gjykuar trupi i ri gjykues me kryetar Kujtim Krasniqin.

Pas gjykimit në shkallë të parë, për herë të dytë, Agani dhe Shabani janë shpallur të pafajshëm nga Gjykata e Prishtinës në gusht të vitit që shkoi. Vendim i cili u vërtetua nga Gjykata e Apelit.

Ndërsa tek rasti “Stenta 3” të akuzuar janë pronarët dhe mjekët e spitaleve private ku pretendohet se janë kryer veprat.