Aktakuzë ndaj dy serbëve për huliganizëm në veri të Kosovës

Prokuroria Speciale sot ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër dy personave të nacionalitetit serb me inicialet R.P. dhe D.O. nën dyshimin se përmes dhunës kanë tentuar që të pengojnë vendosjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës në komunat veriore të vendit.

Këto veprime, Prokuroria po thotë se i kanë ndërmarrë duke qenë pjesë aktive e turmës të cilët kanë vepruar në koordinim me shumë të pandehur tjerë të nacionalitetit serbë nga Serbia dhe Kosova.

“Prokuroria Speciale njofton ekziston dyshimi i bazuar mirë se të lartcekurit në koordinim me shumë të pandehur të tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia, kanë marrë pjesë aktive në grupin përkatësisht turmën e personave me qëllim të kryerjes së veprave penale serioze, përmes përdorimit të dhunës kanë tentuar që të pengojnë vendosjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës në komunat veriore të vendit” – thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Vepra penale e cila rëndon mbi ta është “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi” nga neni 404 paragrafi  1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Çka është huliganizmi sipas Kodit Penal?

Huliganizmi sipas Kodit tonë Penal përfshin veprimet e dhunshme në hedhjen e gjësendeve në drejtim të personave ose qytetarëve, të pjesëmarrësve në aktivitet sportiv, duke thyer ose dëmtuar pajisje të infrastrukturës publike, ose duke thyer apo dëmtuar pajisjet dhe infrastrukturën dhe objektet sportive publike ose private, i vetëm ose në grup të organizuar.

Qëllimi i huliganizmit sipas Kodit është dëmtimi i personave zyrtarë, të pjesëmarrësve sportivë ose të personelit të sigurimit në detyrë zyrtare, në fushat sportive të hapura ose të mbyllura.

Kjo çështje pritet të trajtohet në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës.