Rasti "Stenta 2"- Fjala përfundimtare, FOTO: Laurant Berisha – KALLXO – 16.08.2023

Prokuroria Speciale pritet të bëj një ndryshim në aktakuzë në rastin “Stenta 2”

Në gjykimin kundër 37 mjekëve të akuzuar për vepra të ndryshme korruptive në rastin që mban emrin “Stenta 2” ishte paraparë dhënia e fjalëve përfundimtare.

Të akuzuarit ngarkohen me vepra të ndryshme penale, si keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, dhënie ryshfeti e marrje ryshfeti.

Në Gjykatën e Prishtinës sot pritej të jepeshin fjalët përfundimtare nga palët, gjë e cila nuk shkoi ashtu siç ishte paramenduar. Kjo pasi prokurorja e Prokurorisë Speciale, Florije Shamolli, nisi të bëj prezantimin e ndryshimit në aktakuzë.

Ndryshimi sipas saj ka të bëj me pikën një të dispozitivit të aktakuzës dhe atë vetëm sa i përket të akuzuarve Gani Bajraktari, Faik Shatri, Hamza Selmani, Banush Gashi, Fisnik Hima, Kelmend Pallaska, Daut Gorani, Hajdin Qitaku, Agim Krasniqi, Ejup Pllana, Edmond Haliti, Afrim Poniku, Nebih Musliu, Dardan Koqinaj, Arlind Batalli, Xhevdet Krasniqi, Lazer Prekpalaj, Rexhep Manaj.

Prokurorja njoftoi trupin gjykues për ndryshimin dhe se të njëjtën e ka ndarë me mbrojtësit e të akuzuarve. Por një gjë të tillë disa nga mbrojtësit e mohuan duke thënë se nuk kanë pranuar në emailiat e tyre këtë shkresë të prokurores.

Në këto rrethana trupi gjykues në përbërje të Suzana Qerkinit – kryetare, Lutfi Shala dhe Mentor Bajraktari – anëtarë, tha se shkresën e prokurorisë do t’ua përcjellë përmes emailit zyrtar mbrojtësve të të akuzuarve.

Përndryshe seanca e paraparë të mbahet sot është shtyrë për nesër, 17 gusht 20203, në të cilën prokurorja do të bëjë elaborimin e ndryshimit që pritet të bëhet në aktakuzë dhe do të vazhdohet me fjalët përfundimtare nga palët.

Vlen të theksohet se me të filluar seanca në sallë u paraqitën 36 të akuzuarit ndërsa i akuzuari i 37-të, Daut Gorani nuk ishte prezent.

Mbrojtësi i tij, Mustafë Radoniqi, mungesën e Goranit e arsyetoi me shkaqe shëndetësore. Ndaj tij palët në procedurë u dakorduan që të veçohet procedura.

Në këtë proces gjyqësor të akuzuar janë Gani Bajraktari, Faik Shatri, Hamza Selmani, Banush Gashi, Fisnik Hima, Kelmend Pallaska, Daut Gorani, Hajdin Qitaku, Agim Krasniqi, Ejup Pllana, Edmond Haliti, Afrim Poniku, Nehbi Musliu, Dardan Koqinaj, Avni Batalli, Xhevdet Krasniqi, Lezer Prekpalaj, Rexhep Manaj, Nehat Rexhepaj, Florim Sadiku, Lulzim Kamberi, Halim Haliti, Agron Leka, Agron Besimi, Galina Berisha, Bajram Mziu, Driton Miftari, Besnik Koliqi, Mirdi Strana, Shemsedin Shabollari, Besim Guda, Bajram Preteni, Ismajl Avdimetaj, Petrit Ademaj, Aferdita Selmanaj, Salih Shala, Luan Pazhari.

Në këtë rast ka qenë i akuzuar edhe Reshat Emra, por i njëjti ka ndërruar jetë dhe kundër tij ka pushuar procedura.

Rasti “Stenta” ishte njëri nga rastet më të mëdha korruptive, të cilin pretendonte se e kishte zbuluar Prokuroria Speciale e Kosovës.

Në ketë rast ishin akuzuar mbi 62 persona, në mesin e të cilëve edhe zyrtarë të lartë publikë e punonjës shëndetësorë, të cilët kishin përfunduar në akuza të Prokurorisë Speciale për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrja e ryshfeti, dhënia e ryshfetit, trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor, ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe shmangia nga tatimi.

Sipas aktakuzës, të pandehurit akuzoheshin se kanë lëshuar letra-referuese për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore, së paku 233 personave.

Për shkak të numrit të madh të të akuzuarve dhe menaxhimit më të lehtë me rastin, në shkurt të vitit 2018 rasti ‘Stenta’ u nda në tri pjesë, të akuzuarit, ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani dhe ish-sekretari i Përgjithshëm i kësaj ministrie, Gani Shabani, u gjykuan veçmas në rastin ‘Stenta 1’,  tani 37 mjekë të spitaleve publike akuzohen në rastin e njohur si ‘Stenta 2’, ndërsa pronarët dhe mjekët e spitaleve private janë pjesë e rastit ‘Stenta 3’.

Raportimet e KALLXO lidhur me këtë rast i gjeni në këtë LINK.