Pas lirimit nga akuza, flasin dy kardiologët: Ky proces shkaktoi dëm të madh te pacientët

Dy prej kardiologëve që sot u liruan nga akuzat e rastit “Stenta 2”, kanë folur pas shpalljes së vendimit duke thënë se ky proces ka shkaktuar dëm të madh te pacientët.

Ata dhe 34 kolegë tw tyre akuzohen se kishin udhëzuar pacientët që kërkonin trajtim në spitalin e shtetit, që të njëjtat trajtime t’i kryejnë në spitalet private.

“U dëshmua se kolegët tanë të gjithë ishin të pafajshëm, ashtu siç ka qenë e ditur, duke shkaktuar kështu dëm të madh në radhë të parë pacientëve, të cilët janë frikësuar për trajtimin e tyre dhe kanë pësuar vdekje të shumta, të cilat po të bëhet një studim i mirëfilltë, do të jenë më numër katastrofal” – tha kardiologu, Gani Bajraktari para mediave.

Ai e quajti aktakuzën e ngritur aktakuzë të mbrapshtë, sharlatane e joprofesionale.

“Trupi gjykues jashtëzakonisht profesional, korrekt dhe i denjë për të gjykuar një aktakuzë të mbrapshtë, sharlatane, joprofesionale, e cila ka qenë e ditur se do të kalojë kështu që 7 vite, të një profesionisti që për fat të keq, sot udhëheq prokurorinë e shtetit” – u shpreh Bajraktari.

Më tej, kardiologu tha ata nuk kanë bërë ndonjë faj, por vetëm kanë referuar pacientët konfrom udhëzimeve administrative.

Kolegu i Bajraktarit, Besim Guda tha se dëmi është i madh në opinion dhe te pacientët.

I pyetur nëse do të kërkojnë dëmshpërblim, ai nuk dha një përgjigje të sigurt.

“Ta shohim, nuk besoj, ngase përgjegjësia për secilin është individuale edhe veprimet e secilit do të jenë individuale” – tha Guda.

Gani Bajraktari, Faik Shatri, Hamza Selmani, Banush Gashi, Fisnik Hima, Kelmend Pallaska, Daut Gorani (për të cilin është vecuar procedura), Hajdin Qitaku, Agim Krasniqi, Ejup Pllana, Edmond Haliti, Afrim Poniku, Nehbi Musliu, Dardan Koqinaj, Avni Batalli, Xhevdet Krasniqi, Lazër Prekpalaj, Rexhep Manaj, janë liruar nga akuza për veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje, pasi që nuk është provuar kryerja e veprës penale.

Ndersa Gani Bajraktari,, Nehat Rexhepi, Agim Krasniqi, Florim Sadiku, Lulzim Kamberi, Hamza Selmani, Halim Halili, Banush Gashi, Agron Leka, Agron Besimi, Hajdin Qitaku, Galina Berisha, Bajram Mziu, Driton Miftari, Besnik Koliqi, Mirdi Strana, Shemsedin Shabollari, Fisnik Hima, Kelmend Pallaska, Besim Guda, Bajram Preteni, Faik Shatri, Ismajl Avdimehaj, Petrit Ademaj, Aferdita Selmani, Sali Shala dhe Luan Pazhari, te akuzuar për pikën e dytë të aktakuzës u liruan nga akuza për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar dhe për marrje ryshfeti.