Mjeku i akuzuar në rastin Stenta 2: Ky proces e ka dëmtuar shumë shëndetësinë kosovare, populli është drejtuar për shërim jashtë vendit

Rasti gjyqësor i njohur si “Stenta 2” ka vazhduar sot me dhënien e fjalëve përfundimtare për të akuzuarin Daut Gorani, për të cilin ishte veçuar procedura.

Në seancën e 16 gushtit 2023, procedura ndaj të akuzuarit Daut Gorani ishte veçuar për shkak të gjendjes së tij shëndetsore.

Sipas aktakuzës, 37 kardiologët akuzoheshin për keqpërdorim të detyrës zyrtare  – dhënie e marrje ryshfeti, në atë mënyrë që pacientëve iu lëshoheshin letra refuzuese me qëllim të trajtimit të tyre jashtë institucioneve publike shëndetësore.

Trupi gjykues për këtë rast është në përbërje të Suzana Qerkinit – kryetare, Lutfi Shala dhe Mentor Bajraktari – anëtarë.

Aktakuzën në këtë rast po e përfaqëson prokurorja e Prokurorisë Speciale, Florije Shamolli, e cila në fjalën përfundimtare kishte bërë një ndryshim të aktakuzës sa i përket dëmit të shkaktuar nga të akuzuarit e që me ndryshimin e bërë del të jetë vlera prej 11 mijë e 430 euro që iu shkaktua dëm buxhetit të shtetit.

Ndryshe, më 20 shtator 2023, gjykata i kishte liruar nga akuza 36 mantelbardhët të cilët akuzoheshin se kishin udhëzuar pacientët që kërkonin trajtim në Spitalin e Shtetit, që të njëjtat trajtime t’i kryejnë në spitalet private.

Prokurorja Shamolli në seancën e sotme deklaroi se qëndron prapa fjalës përfundimtare të dhënë më parë, ‘’Unë qëndroj pranë fjalës përfundimtare sepse edhe Daut Goranin e kam përfshirë’’.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit, Mustafë Radoniqi tha se fjalën përfundimtare e ka dorëzuar me shkrim dhe propozimi i tij i vetëm është që i akuzuari Gorani të lirohet nga akuza.

Ndërsa i akuzuari Daut Gorani u deklarua se ky proces gjyqësor ka zgjatur shumë dhe e ka dëmtuar shumë shëndetësinë kosovare duke e humbur edhe besimin tek popullata e Kosovës, të cilët janë drejtuar për shërim jashtë vendit.

‘’Unë edhe kolegët, kemi bërë maksimumin që ta rikthejmë besimin në popullatë’’ – shtoi Gorani.

I njëjti theksoi që sukseset dhe kontributet për këto vite, sipas tij, kanë ndikuar, në rikthimin e besimit të popullatës që mos të drejtohen për shërbime në spitalet e Shkupit, Tiranës dhe Beogradit.

Sipas Goranit, kontributi i këtyre shërbimeve për 10 vitet e fundit ka qenë 60 milionë euro ndërsa kontributi i tij personal ka qenë 15 milionë euro.

I njëjti deklaroi që në këtë lëmi ka kryer 7 mijë procedura apo intervenime të natyrës kardiologjike.

Tutje, i akuzuari Gorani shtoi se ky proces gjyqësor i ka demotivuar edhe doktorët e rinj sipas deklarimeve të tyre, duke i detyruar të largohen nga Kosova.

Rasti “Stenta” ishte njëri nga rastet më të mëdha korruptive, të cilin pretendonte se e kishte zbuluar Prokuroria Speciale e Kosovës.

Në ketë rast ishin akuzuar mbi 62 persona, në mesin e të cilëve edhe zyrtarë të lartë publikë e punonjës shëndetësorë, të cilët kishin përfunduar në akuza të Prokurorisë Speciale për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrja e ryshfeti, dhënia e ryshfetit, trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor, ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe shmangia nga tatimi.

Sipas aktakuzës, të pandehurit akuzoheshin se kanë lëshuar letra-referuese për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore, së paku 233 personave.

Për shkak të numrit të madh të të akuzuarve dhe menaxhimit më të lehtë me rastin, në shkurt të vitit 2018 rasti ‘Stenta’ u nda në tri pjesë, të akuzuarit, ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani dhe ish-sekretari i Përgjithshëm i kësaj ministrie, Gani Shabani, u gjykuan veçmas në rastin ‘Stenta 1’,  ndërsa 37 mjekë të spitaleve publike akuzoheshin në rastin e njohur si ‘Stenta 2’, ndërsa pronarët dhe mjekët e spitaleve private janë pjesë e rastit ‘Stenta 3’.