Gjykata refuzon propozimin e mbrojtjes për dëgjimin e 9 dëshmitarëve në rastin 'Banjska'
Gjykata e Prishtinës ka refuzuar propozimin e mbrojtjes së të akuzuarit Dushan Maksimoviq, avokates Jovana Filipoviq, për dëgjimin e 9 dëshmitarëve të tjerë në rastin “Banjska”.
Në këtë rast gjykimi po zhvillohet vetëm ndaj tre të akuzuarve, Dushan Maksimoviq, Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq, pasi pjesa tjetër janë në arrati të orangeve të drejtësisë të Kosovës.
Sipas PSRK-së, 45 persona duke përfshirë edhe tre të lartcekurit që janë në paraburgim akuzohen se më 24.09.2023 kanë kryer sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit, duke lënë të vrarë zyrtarin policor, Afrim Bunjakun.
Gjykata refuzoi propozimin e avokates Filipoviq për dëgjimin e 9 dëshmitarëve për faktin se trupi gjykues ka vlerësuar se as vet pretendimet e Prokurorisë Speciale nuk rezulton roli i drejtëpërdrejtë i të pandehurit në datat kritike të përshkruara në parashtresën e mbrojtjes, për çka rrjedhimisht nuk do të ndryshonte vlerësimin e Gjykatës për fajsinë apo pafajsinë e të pandehurit Dushan Maksimoviq.
Tutje, trupi gjykues refuzoi edhe propozimin e mbrojtjes për nxjerrjen e ekspertizës për krahasimin e uniformave, pasi që Gjykata ka vlerësuar se një vlerësim i tillë është i thjeshtë dhe mund të bëhet nga përmbajtja e fotografive.
Ndërsa lidhur me pyetjen nëse arma ishte snajper apo automatike, gjyqtari Arrni tha se kjo nuk ka relevancë për trupin gjykues në faktin se a ka qenë apo jo i përfshirë i akuzuari Dushan Maksimoviq në grupin e pretenduar terrorist.
Më tej kryetari i trupit gjykues, Ngadhnjim Arrni, tha se me rastin e shpalljes dhe përpilimit të aktgjykimit, trupi gjykues do të jep një arsyetim më të detajuar mbi bazën ligjore dhe arsyeshmërinë e refuzimit të këtyre propozimeve.
Tutje, seanca e sotme u ndërpre dhe seancat e radhës u caktuan për në muajin Shkurt 2026.
Sot më 16.01.2026 ka filluar rishtazi gjykimi për rastin “Banjska”. Kjo pasi kryetari i trupit gjykues në këtë rast ka qenë Arben Hoti, mirëpo me avancimin e tij në Gjykatën e Apelit, lëndën për gjykim e ka marrë gjyqtari Ngadhnjim Arrni, i cili së fundi është bërë edhe kryetar i Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Ky rast po trajtohet në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës, në përbërje të Trupit Gjykues: Ngadhnjim Arrni (kryetar) Rrahman Beqiri dhe Donikë Shala-Abdyli (anëtarë)
Tre të akuzuarit në rastin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit më 2023, Dushan Maksimoviq, Bllagoje Spasojeviq dhe Vlladimir Toliq, edhe në shqyrtim kryesor më 17.04.2025 nuk e pranuan fajësinë, lidhur me veprat penale që u vihen në barrë.
Çka thotë aktakuza e Prokurorisë për rastin “Banjska” ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku?
Ndaj 45 personave – në krye të të cilëve qëndron ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq – është ngritur aktakuzë më 11.09.2024 nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Sipas aktakuzës, mbi 45 të akuzuarit rëndojnë veprat penale për terrorizëm, financim terrorizmi dhe shpëlarje e parasë.
Kjo pasi të njëjtit akuzohen se më 24.09.2023 kanë kryer sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit duke lënë të vrarë zyrtarin policor, Afrim Bunjaku.
Dosja e Prokurorisë që ka siguruar KALLXO.com tregon me iniciale se cilët janë 45 të akuzuarit, e se cili ishte qëllimi i tyre.
“Duke vepruar sipas përgatitjeve dhe planit të mirë organizuar paraprakisht, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, kanë tentuar që të shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojnë Serbisë” – thuhet në këtë dosje.
Prokuroria ka thënë se si rezultat i dhunës së përdorur ka vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku dhe është rrezikuar jeta e zyrtarëve të tjerë policor dhe popullatës civile.
Në grupin kriminal të strukturuar të udhëhequr nga Radoiçiq janë këta të akuzuar.
Milan Radoiqiq, Vladimir Radivojeviq, Ugljesha Jarediq, Milorad Jevtiq, Vlastimir Andriq, Aleksandar Milosavljeviq, Lazar Smigiq, Veljko Gjordjeviq, Vladimir Vuçetiq, Stefan Jovanoviq, Milovan Krstoviq, Urosh Miliq, Trajko Vasiq, Danilo Vasiq, Vukashin Jarediq, Sasha Periq, Nemanja Stankoviq, Momçilo Vuckoviç, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviç, Marko Arsiç, Zharko Cvetkoviç, Krsto Damjanoviç, Stefan Milosavljeviç, Marko Saviç, Aleksandar Jevremoviç, Radosh Gvozdiç, Ivan Miliç, Gojko Zubaç, Nemanja Radivojeviq, Radak Adziq, Milosh Milenkoviq, Gjorgje Baloviq, Danijel Gjukiç, Danilo Virijeviq, Aleksandar Tanaskoviq, Milosh Kragoviq, Miljan Nedeljkoviq, Nikola Iliq, Vladan Iliq, Radule steviq dhe personi juridik, “Rad D.O.O.”.
Ndërsa, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, po ashtu të akuzuar për terrorizëm janë në paraburgim që nga shtatori i 2023.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka njoftuar më 11.09.2024 se kanë ngritur aktakuzë për 45 persona për rastin e sulmit në Banjskë të Zveçanit.
Naim Abazi, prokurori i Speciales që udhëhoqi hetimet e sulmit terrorist të 24.09.2023 tregoi në detaje se si u hetua i gjithë ky rast.
Abazi në një konferencë për media tha se ndaj 45 të akuzuarve rëndojnë veprat penale për terrorizëm, financim terrorizmi dhe shpëlarje e parasë.
Prokurori tha se hetimet për Banjskën kanë qenë më komplekset që ka pasur kjo prokurori ndonjëherë dhe në hetim janë përfshirë agjencitë më të mira kombëtare dhe ndërkombëtare për zbatim të ligjit.
Sipas Abazit deri më tani janë realizuar afër 66 intervista me dëshmitarë dhe të pandehur.
“Janë analizuar rreth 120 pajisje elektronike dhe rreth 1 mijë e 266 armë dhe pajisje të tjera dhe kemi siguruar me qindra dokumente që përmbajnë prova kritike për këtë çështje” – tha prokurori.
Tutje ai shtoi se gjatë hetimeve kanë hasur në disa sfida të rëndësishme duke përfshirë bashkëpunimin ndërkufitar dhe vështirësitë në gjurmimin e fondeve dhe shpëlarjes së parave dhe përdorimin e teknologjive të avancuara të përfshira në aktivitet kriminale nga ana e të akuzuarve.
“Kanë pasur role të ndryshe brenda këtij grupi kriminal duke filluar nga organizimi, drejtimi i aktiviteteve terroriste deri tek financimi dhe shpëlarja e parave” – theksoi tutje prokurori.
Në konferencë Abazi njoftoi se ndër të akuzuarit kryesorë është edhe individi me pozitë kyçe si udhëheqës i grupit Millan Radoiçiq, i cili u tha se ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale.
Çka ndodhi në Banjskë?
Në orët e para të ditës më 24.09.2023, një njësi policore e cila ishte në patrullim në fshatin Zveçan njoftoi se dy kamionë ishin vendosur në urën që të çon drejtë brendësisë së fshatit Banjskë në të cilin gjenden dhjetëra shtëpi.
Rreshteri policor Afrim Bunjaku së bashku me dy kolegë të tij i ishin përgjigjur rastit, me ç’rast deri sa ishte afruar te kamionët e vendosur për të parë se çfarë po ndodhte një granatë kundër këmbësorisë me telekomandë kishte shpërthyer.
Rreshteri Afrim Bunjaku ishte vrarë në sulm më 24.09.2023 ndërsa dy kolegët e tij, njëri ishte plagosur e tjetri ishte lënduar.
Përgjegjësinë për sulmin e po ashtu edhe logjistikën e kishte marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili është arrestuar më 03.10.2023 në Beograd.
“Për këtë nuk kam njoftuar askënd, as strukturat e pushtetit të Republikës së Serbisë, as në veri dhe nga ta nuk kam pasur asnjë ndihmë sepse deri në atë kohë kishim qëndrime të ndryshme të dallueshme sa i përket mbrojtjes nga terrori i Kurtit, pasi populli serb ka ofruar rezistencë ndaj terrorit të Kurtit shumë raste për zbutje dhe qetësim të situatës politike” – thuhej në letrën e Radoiçiq, që lexoi avokati i tij më 29.09.2024.
Ai nuk e bëri këtë në mënyrë publike dhe vet por me anë të një letre që e lexoi avokati i tij, Goran Petronijeviq. Madje në po të njëjtën letër ai tha se jep dorëheqje nga pozita e tij në Listën Serbe.
Radoiçiq u intervistua nga Prokuroria në Serbi dhe është lënë i lirë që të hetohet në liri ndërsa vazhdon të jetojë atje.
Më 11.09.2024 nga Prokuroria Speciale e Kosovës është ngritur aktakuzë ndaj 45 personave, mbi të cilët rëndojnë veprat penale për terrorizëm, financim terrorizmi dhe shpëlarje e parasë.