Gjykata liron nga akuza ish-kryesuesin e drejtorëve të Trafikut Urban

Ruhan Beha i akuzuar për konflikt interesi nga prokuroria, është liruar nga akuza.

Gjykatësja e cila mori dhe shpalli këtë aktgjykim Fatime Dërmaku, tha se nuk ka mundur të provohet se është kryer vepra penale.

Prokurorja e rastit Bukurije Gjonbalaj në seancën e djeshme e kishte bërë ricilësimin e veprës penale e cila i bie në barrë të akuzuarit nga vepra penale e keqpërdorimit të detyrës zyrtare në veprën penale të konfliktit të interesit.

Pas rikaualifikimit të veprës penale mbrojtja kishte deklaruar se qëndrimi lidhur me fajësinë mbetet i njëjtë edhe për këtë vepër penale.

“Deklarohem i pafajshëm”, kishte thënë Beha para trupit gjykues, me anëtarë Gazmend Bahtiri dhe Kushtrim Shyti.

Beha akuzohej se gjatë vitit 2019 në cilësinë e kryesuesit të drejtorëve të ndërmarrjes “Trafiku Urban” në Prishtinë në vazhdimësi ka kërkuar nga kryeshefi ekzekutiv i kësaj ndërmarrjeje L. R. që të punësojë bashkëshorten e tij, e cila në këtë ndërmarrje ishte praktikante.

Mbrojtja kishte propozuar gjykatës që urdhëresën e gjykatës për sekuestrimin e përkohshëm të telefonave të të akuzuarit duhet ta shpallë si provë të papranueshme.

Ky propozim ishte kundërshtuar nga trupi gjykues.

Me rastin e dhënies së fjalëve përfundimtare prokurorja Gjonbalaj kishte kërkuar që gjykata të akuzuarin ta shpallë fajtorë për konflikt interesi.

Ndërkaq kiste propozuar që me rastin e matjes së dënimit të merr parasysh si rrethana rënduese presionin e vazhdueshëm ndaj të dëmtuarit L. R. këmbëngulësinë për të kryer veprën penale dhe mënyrën e hakmarrjes për mosveprimet e të dëmtuarit Rexhepaj.

Ndërsa avokati Flakron Sylejmani i cili po mbron të akuzuarin në këtë procedurë kërkoi nga gjykata që Behën ta shpallë të pafajshëm dhe të pushojë procedurën.

Me rastin e shpalljes së aktgjykimit, gjykatësja udhëzoi palën e dëmtuar në kontest civil.

Raportimin lidhur me këtë rast mund t’a ndiqni në këtë LINK.