
Përfundon gjykimi ndaj ish kryesuesit të drejtorëve të Trafikut Urban, Prokuroria ia ndryshoi veprën penale
Me seancën e sotme në Gjykatën e Prishtinës mori fund gjykimi ndaj ish kryesuesit të drejtorëve të Trafikut Urban, Ruhan Beha, i cili po akuzohet për konflikt të interesit.
Beha po akuzohet se gjatë vitit 2019 në cilësinë e kryesuesit të Drejtorëve të Trafikut Urban në Prishtinë në vazhdimësi ka kërkuar nga kryeshefi ekzekutiv i kësaj ndërmarrjeje Lulzim Rexhepaj që të punësojë bashkëshorten e tij e cila në këtë ndërmarrje ishte praktikante.
Prokurorja e rastit Bukurije Gjonbalaj në seancën e sotme bëri ricilësimin e veprës penale e cila i bie në barrë të akuzuarit nga vepra penale e keqpërdorimit të detyrës zyrtare në veprën penale të konfliktit të interesit.
Pas rikaualifikimit të veprës penale mbrojtja deklaroi se qëndrimi lidhur me fajësinë mbetet i njëjtë edhe për këtë vepër penale.
“Deklarohem i pafajshëm”, tha Beha para trupit gjykues.
Në këtë seancë u procedua edhe me administrimin e provave materiale, dhënien e mbrojtjes nga i akuzuari si dhe dhënia e fjalëve përfundimtare nga palët në procedurë.
Me rastin e dhënies së mbrojtjes Beha deklaroi se ka vendosur të mbrohet në heshtje.
Ndërkaq gjatë administrimit të provave materiale prokurorja e rastit, Bukurije Gjonbalaj, ka numëruar provat me të cilat tenton të provojë fajësinë e të akuzuarit.
Ndër këto prova ishin bisedat në mënyrë elektronike përmes platformës “Whatsapp” mes të akuzuarit dhe të dëmtuarit L. R.
Lidhur me këtë, mbrojtja ka propozuar gjykatës që urdhëresën e gjykatës për sekuestrimin e përkohshëm të telefonave të të akuzuarit duhet ta shpallë si provë të papranueshme.
Ky propozim u kundërshtua nga trupi gjykues i cili në këtë rast është në përbërje nga Fatime Dermaku – kryetare dhe Kushtrim Shyti dhe Gazmend Bahtiri – anëtarë.
Me rastin e dhënies së fjalëve përfundimtare prokurorja Gjonbalaj kërkoi që gjykata të akuzuarin ta shpallë fajtorë për konflikt interesi.
Ndërkaq propozoi që me rastin e matjes së dënimit të merr parasysh si rrethana rënduese presionin e vazhdueshëm ndaj të dëmtuarit L. R. këmbëngulësinë për të kryer veprën penale dhe mënyrën e hakmarrjes për mosveprimet e të dëmtuarit Rexhepaj.
Ndërsa avokati Flakron Sylejmani i cili po mbron të akuzuarin në këtë procedurë kërkoi nga gjykata që Behën ta shpallë të pafajshëm dhe të pushojë procedurën.
Avokati Sylejmani gjithashtu kërkoi që gjykata të mos i falë besë dëshmisë së dëshmitarit L. R., i cili kishte dëshmuar para gjykatës në tetor të vitit që shkoi.
Fjalën e mori edhe vetë i akuzuari i cili mbështeti fjalën e mbrojtësit të tij, kurse kërkoi aktgjykim lirues nga gjykata.
“Jam i akuzuar padrejtësisht, kërkoj që aktakuza të hidhet poshtë. Gjatë shqyrtimit gjyqësor besoj që u vërtetua deklarata ime dhe e mbrojtësit tim që jam i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës e për më tepër e ndjej veten të dëmtuar nga ky proces që nga fillimi sepse ky rast më ka ndikuar keq në shëndetin dhe karrierën time”, u shpreh Beha.
Shpallja e aktgjykimit lidhur me këtë çështje penale pritet të bëhet nesër, më datën 20 shtator.
Sipas aktakuzës, Beha akuzohet se gjatë vitit 2019 në cilësinë e kryesuesit të drejtorëve të ndërmarrjes “Trafiku Urban” në Prishtinë në vazhdimësi ka kërkuar nga kryeshefi ekzekutiv i kësaj ndërmarrjeje L. R. që të punësojë bashkëshorten e tij, e cila në këtë ndërmarrje ishte praktikante.
Ai akuzohet se këto kërkesa i ka bërë në mënyrë verbale si dhe përmes mesazheve në “Whatsapp”.
Dosja e Prokurorisë thotë se Beha fillimisht ka kërkuar dhe kanosur L. R. për hapjen e konkursit për zyrtar të IT-së e pas shpalljes së këtij konkursi kërkoi punësimin e bashkëshortes së tij.
Në aktakuzë thuhet se këtë konkurs L. R. e kishte anuluar dhe për shkak të kësaj Ruhan Beha kishte filluar procedurën e shkarkimit të Rexhepajt si dhe e kishte kërcënuar se do ta rrahë.
KALLXO.com kishte raportuar eksluzivisht lidhur për këtë rast: