Vendi i grabitjes në Suharekë, Foto: Bali Muharremaj/ Facebook

Gjykata i lë në paraburgim të dyshuarit për grabitjen në Suharekë

Bujar Bashës, Besart Istrefit dhe Leutrim Cakollit, të dyshuar për grabitjen e armatosur në Suharekë, Gjykata e Prizrenit ka vendosur që t’ua vazhdojë paraburgimin deri më 29 shkurt të këtij viti.

Për Kallxo.com këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i kësaj gjykate, Marcel Lekaj.

Grabitja e armatosur kishte ndodhur në një argjendari në qytetin e Suharekës më 22 nëntor të vitit të kaluar.

Nga burime brenda policisë ishte konfirmuar se të dyshuarit kishin pasur armë të gjata, ku mbeti i plagosur një polic.

Ata kishin dalë para gjykatës një javë pasi kishte ndodhur grabitja.

Atyre, u ishte caktuar paraburgimi në po këtë seancë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të grabitjes, kurse i dyshuari Trim Baraku për mbajtje të paautorizuar të armës.

Kallxo.com kishte mësuar se i dyshuari Bujar Basha kishte qenë në vuajtje të dënimit, në Burgun e Sigurisë së Lartë deri më 14 shtator, 2 muaj para se të ndodhte grabitja.

Ai kishte qenë i dënuar me 5 vite e 2 muaj burgim për grabitje dhe ishte liruar dhe se deri në momentin e lirimit të tij, ky person ishte kategorizuar me rrezikshmëri të lartë, kishte theksuar Shërbimi Korrektues i Kosovës.

Përveç të lartpërmendurëve, në paraburgim do të rrijnë deri më 25 shkurt dhe Albin Beqiri dhe Fatmir Tahiri, të cilët dyshohen se kanë ndihmuar këta persona në kryerjen e grabitjes.

Sipas dosjes së Prokurorisë, i pandehuri Albin Beqiri kishte prezantuar letërnjoftimin e tij në kompaninë “Ipko” në Mitrovicë dhe kishte blerë 10 numra të telefonit për të pandehurin Fatmir Tahiri dhe këta numra ia dorëzon të njëjtit.

Tutje, sipas dosjes, njëri prej këtyre numrave të telefonit përdoret për të kontaktuar pronarin e automjetit nga i cili grabitësit e blejnë automjetin, i cili përdoret gjatë grabitjes në Suharekë.

Prokuroria e Prizrenit ata i ngarkon me veprën penale – dhënia e ndihmës gjatë kryerjes së veprës penale të grabitjes.

Kurse, Bashën, Istrefin dhe Cakollin i ngarkon me veprën penale të grabitjes.

Vendimin për vazhdimin e paraburgimit e ka marrë gjyqtarja e procedurës paraprake Teuta Krusha.

Vlera e arit të grabitur në argjendari nga të dyshuarit llogaritet të jetë mbi 200 mijë euro.