Grabitje e armatosur në një këmbimore në Ferizaj, dyshohet se u vodhën rreth 30 mijë euro

Një grabitje e armatosur ka ndodhur në rrugën “Sali Qeku” në Ferizaj rreth orës 12:20 të datës 27.03.2024.

Një këmbimore në këtë rrugë u grabit nga një i dyshuar i maskuar me pistoletë, konfirmoi Policia e Kosovës. Ndërsa KALLXO.com mëson se dyshohet se u vodhën rreth 30 mijë euro.

Zëdhënësi i Policisë Rajonale të Ferizajt, Kanun Veseli thotë se një shumë parash u grabit dhe i dyshuari u largua.

“Menjëherë ekipe të policisë, policë të rendit, hetues të stacionit, si dhe hetuesit dhe krimteknikët rajonal kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë marrë masat e nevojshme të hetimit për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit e kësaj ngjarje”- deklaroi Veseli për KALLXO.com.

Tutje Veseli tregoi se një punëtor 30-vjeçar ishte në këmbimore në momentin e grabitjes, por që nuk raportohet për lëndime.

Prokurori kujdestar është njoftuar rreth këtij rasti.