Bujar Basha u lirua nga Burgu i Sigurisë së Lartë, 2 muaj para se të ndodhte grabitja në Suharekë

Njëri nga të arrestuarit e djeshëm, si i dyshuar nga grupi që grabitën një argjendari në Suharekë, Bujar Basha ka një histori kriminale me të paktën 6 dënime të plotfuqishme për grabitje dhe vjedhje.

Gjykata Themelore e Prizrenit ka konfirmuar për KALLXO.com, të paktën gjashtë aktgjykime të plotfuqishme dënuese për Bujar Bashën.

Bujar Basha kishte qenë në vuajtje të dënimit në Burgun e Sigurisë së Lartë deri më 14 shtator të këtij viti.

2 muaj më vonë, më 22 nëntor ka ndodhur plaçkitja e armatosur në një argjendari në Suharekë, për të cilën Basha është arrestuar si i dyshuar.

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka konfirmuar për KALXLO.com se Bujar Basha kishte qenë i dënuar me 5 vite e 2 muaj burgim për grabitje dhe ishte liruar dhe se deri në momentin e lirimit të tij, ky person është kategorizuar me rrezikshmëri të lartë.

“Personi në fjalë është liruar pas përfundimit të dënimit, lirim normal nga Burgu i Sigurisë së Lartë, me datë, 14.09.2023, ku ishte i dënuar me 5 vite e 2 muaj për Veprën Penale Grabitje. Deri në momentin e lirimit i njëjti ishte i kategorizuar me rrezikshmëri të lartë” – thuhet në përgjigjen e Shërbimit Korrektues.

Aksioni policor i zhvilluar gjatë ditës së djeshme, në tri lokacione  ka përfshirnë Prishtinën, Fushë Kosovën e Carralevën, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren.

Nga ky aksion policor, një polic mbeti i lënduar, e që gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetë, përderisa njëri nga të dyshuarit u neutralizua gjatë zhvillimit të aksionit policor.

Ndryshe, më 22 nëntor ka ndodhur një plaçkitje e armatosur në një argjendari në qytetin e Suharekës. Në tentativën për ta parandaluar plaçkitjen është plagosur një polic.

Nga ky incident, përveç një polici të plagosur, kishte mbetur edhe një tjetër i lënduar.

Gjykata e Prizrenit ka vendosur një muaj paraburgim për dy të dyshuarit në lidhje me rastin e grabitjes në një argjendari në Suharekë.

Të dy të dyshuarit, Albin Beqiri dhe Fatmir Tahiri, dyshohen për ndihmë në kryerjen e grabitjes së armatosur.

Prokuroria ka kërkuar masën e paraburgimit gjatë një seance paraprake në Gjykatën e Prizrenit, ndërsa të dyshuarit janë dërguar në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me rastin e grabitjes në Suharekë mund t`i lexoni duke klikuar në LINK .