Grabitja e armatosur në Suharekë, dalin para Gjykatës dy të dyshuarit e arrestuar

Dy të dyshuarit për grabitjen që ka ndodhur në argjendarinë “Diakos” në Suharekë kanë dalë para Gjykatës së Prizrenit një ditë pas arrestimit të tyre.

Prokuroria e Prizrenit po i ngarkon me veprën penale – dhënia e ndihmës gjatë kryerjes së veprës penale të grabitjes.

Prokuroria ka kërkuar një muaj paraburgim për dy të dyshuarit.

KALLXO.com merr vesh se të pandehurit janë A.B. dhe F.T.

Ata janë arrestuar në lidhje me grabitjen e armatosur që ka ndodhur në një argjendari në qendër të Suharekës më 22.11.2023.

Në këtë incident një polic është plagosur nga të dyshuarit dhe një tjetër ka pësuar lëndime.

Vlera e arit të grabitur nga katër të dyshuarit llogaritet të jetë mbi 200 mijë euro.