Detaje nga grabitja e armatosur në Suharekë, të dyshuarit ishin të pajisur me armë të gjata

Të armatosur e të maskuar 3-4 persona, po dyshohet se morën pjesë në një grabitje që ndodhi në orët e pasdites në një lokal argjendarie në Suharekë, ku mbeti i palgosur një polic.

KALLXO.com mëson nga burime brenda Policisë se të dyshuarit kanë qenë të pajisur me armë të gjata dhe kanë hyrë brenda një argjendarie në Suharekë.

Në anën tjetër në një bisedë me ekipin e KALLXO.com, drejtori i Policisë në Prizren, Faton Alija ka treguar nga vendi i ngjarjes zanafillën e nisjes së shkëmbimit të zjarrit mes policisë dhe grupit të dyshuar të grabitësve.

“Kanë kryer plaçkitjen e një sasie të konsiderueshme ndërkohë aty është ndalë me intervenu një patrullë e policisë, ende pa dalë nga automjeti, të dyshuarit kanë shkrepur në drejtim të policëve”- tregon për KALLXO.com, Drejtori Alija.

Tutje ai shtoi se në këtë ngjarje është plagosur një polic në këmbë.

“Ka lëndime të lehta. Policët i janë kundërpërgjigje sulmit nga grupi i dyshuar. Të njëjtit janë larguar nga vendi i ngjarjes. Ajo çka dimë deri më tani është se vetura e dyshuar është me xhama të errësuar”- tha Alija.

Për shkak se tashmë të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes, Policia në Prizren tashmë ka aktivizuar edhe unazën e çeliktë.

Kjo për të vendosur pika të ndryshme statike të policisë të cilët mund të identifikojnë dhe arrijnë të lokalizojnë veturën dhe personat e dyshuar.

“Është aktivizuar unaza e çeliktë në bazë të informacioneve që janë për veturën e dyshimtë. Janë krijuar disa pika kontrolli në vendet ka ka mujt me shku vetura e dyshuar, edhe një veturë është dëmtuar e policisë nga gjuajtjet me armë që kanë bërë”- përfundoi drejtori.

Përveç policit të plagosur nuk është raportuar për ndonjë person tjetër që mund të ketë marrë lëndime nga kjo ngjarje.