Foto: Policia e Kosovës

Gjuajte me armë zjarri në Gjilan, të dyshuarit lirohen në procedurë të rregullt

Tre persona janë arrestuar dhe më pas janë liruar në procedurë të rregullt pas një gjuajtje me armë që ka ndodhur në fshatin Bresalc në Gjilan.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës në rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani ka njoftuar për KALLXO.com se njësitet policore në vendin e ngjarjes ku janë dëgjuar të shtënat me armë zjarri kanë gjetur tri gëzhoja të shkrepura.

Dy të dyshuarit e rastit A. M., 27 vjeçar, i cili ka gjuajtur me armë dhe më pas e ka fshehur armën, dhe A. M., 22 vjeçar janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Që të dy më pas janë lokalizuar në fshatin Kishnapolë të Gjilanit dhe rrjedhimisht janë arrestuar.

Pas kësaj, të dyshuarit janë intervistuar dhe urdhër të Prokurorit të Shtetit lirohen në procedurë të rregullt ndërsa rasti procedohet ne Prokurorinë Themelore në Gjilan.

Tutje në njoftim është treguar se është intervistuar dhe personi i tretë i dyshuar, V. A., 50 vjeçar.

Tek ai thuhet se gjatë kontrollit është arritur të gjendet edhe një armë tjetër.

Sipas Hashanit, gjatë kontrollit të të dyshuarve janë gjetur pesë plumba të cal. 6.35mm, dy thika edhe një sasi e narkotikëve e dyshuar e llojit Marihuan me peshë 1.08, të cilat po ashtu janë konfiskuar.

Tutje Hashani ka treguar se i dyshuari A. M., 27 vjeçar është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, ku edhe janë gjetur prova të qëndrueshme se ai ka shtënë me armë zjarri.

Në intervistë po ashtu është mësuar edhe lokacioni se ku i dyshuari e ka fshehur armën.

Zyrtarët policor thuhet se kanë konfiskuar si prova materiale për gjykatë, armët Zoraki M 906-t dhe armën Ekol Jackal Dual compact, si dhe 16 copë fishkë të pa shkrepur të armëve përkatëse.

Foto: Policia e Kosovës