Betim Gjoshi - Foto: PDK

Gjoshi: Brenda qershorit do të bëhen publik emrat e kandidatëve për kryetar të komunave

Sekretari elektoral i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Betim Gjoshi ka thënë se kjo parti do të prezantoj kandidatura për kryetar të komunave brenda muajit qershor.

Gjoshi në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se do të prezantohen kandidatët më të mirë.

“Ne jemi duke mbajtur takime të rregullta me strukturat tona për të nxjerrë kandidatët më të mirë. Ne kemi prezantuar një pjesë të madhe të kandidaturave. Pjesën tjetër brenda qershorit do ta prezantojmë”, tha ai.

Ai nuk ka dashur të komentoj ‘lëmshin’ që ka ndodhur në komunën e Drenasit me kandidatin për kryetar të kësaj komune.

“Sa i përket Drenasit ka dhënë gjithë sqarimet e nevojshme kryetari në detyrë, por edhe partia me një komunikatë”, tha ai.

Më 5 qershor, dega e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Drenas i ka dhënë mbështetjen Driton Ajazit për të qenë kandidat për kryetar të Komunës së Drenasit në zgjedhjet lokale që priten të mbahen në vjeshtë.

Por në njoftimin e partisë të bërë publik disa orë më vonë është bërë e ditur se Lladrovci do të kandidoj përsëri për kryetar të komunës së Drenasit nga radhët e kësaj partie.

“Partia Demokratike e Kosovës do të rikandidojë të gjithë kryetarët e Komunave në të cilat qeverisë ajo. Partia Demokratike e Kosovës, respektivisht kryesia qëndrore, ka qenë mëse e qartë në janar të këtij viti kur ka vendosur publikisht që të rikandidojë të gjithë kryetarët e komunave në të cilat qeverisë ajo”, thuhet në njoftim.

Deri më tani janë konfirmuar kandidatura e  Shaqir Totaj për kryetar të Prizrenit, Rrahim Tërnava për kryetar të Fushë Kosovës dhe Ramiz Lladrovci për kryetar të Drenasit.

PDK: Kandidatura e Ramiz Lladrovcit për Komunën e Drenasit është çështje e mbyllur