Ilustrim

Gjakovë, Prokuroria kërkon paraburgim ndaj tre të dyshuarve për sulm dhe pengim ndaj tre policëve

Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka kërkuar nga Gjykata për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve H. A., G. C. dhe S. J.

H. A., G. C. dhe S. J. dyshohen se kanë kryer veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”, dhe “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”.

Rasti ka ndodhur më 30 janar 2022, në një lokal në Rahovec, ku i pandehuri H. A., i sulmon personat zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, pikërisht të dëmtuarit V. K., M. H.,  dhe G. K., që të tre zyrtarë policorë.

“Përderisa patrulla policore bashkë me Inspektorët e AVUK- ut, kanë hyrë në lokal dhe kanë kërkuar që të largojnë klientët për shkak të masave kundër COVID-19, i pandehuri, fillimisht refuzon urdhrin e zyrtarëve policor, më pas nga xhepi nxjerr një thikë dhe gjatë arrestimit nga ana e zyrtarëve policor, të dëmtuarit V. K., i  shkakton lëndime me mjet të rrezikshëm-thikë, ndërsa zyrtarët policor M. H., dhe G. K., pësojnë lëndime trupore në duar”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Ndërkaq i pandehuri G. C., me datë dhe vend të njejtë  sipas njoftimit ka sulmuar personin zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare dhe pas gjatë arrestimit e ka goditur me shqelma në pjesë të trupit si dhe i ka kërcënuar zyrtarët policorë.

“Më datë e vend të njëjtë, i pandehuri G. C., e sulmon  personin zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, të dëmtuarin A. B.,  zyrtar policor në Rahovec, ku i pandehuri fillimisht refuzon urdhrin e zyrtarëve policor, më pas gjatë arrestimit e sulmon të dëmtuarin duke e goditur me shqelma në pjesë të trupit si dhe duke i kërcënuar zyrtarët policor me fjalë kërcënuese”, bën të ditur Prokuroria.

Tutje, i pandehuri S. J. sipas  Prokurorisë, gjithashtu ka penguar zyrtaren e policisë në kryerjen e detyrë zyrtare, përkatësisht arrestimin e të dyshuarve H. A., dhe G. C.

“Më datë e vend të njëjtë, i pandehuri S. J., me dashje, me forcë ka penguar personin zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare, të dëmtuarën, zyrtaren policore A. K., ku i pandehuri, ka filluar t`i pengoj zyrtarët policor në arrestimin e të dyshuarve H. A., dhe G. C.,  ku vazhdimisht ka tentuar t’ia largoj duart të dëmtuarës që mos të arrestohen të pandehurit”, thuhet në njoftim.