Ilustrim

FOTO: Dyshime për rrëmbim, 3 persona arrestohen në qendër të Prishtinës

Katër persona janë ndaluar para disa minutash në qendër të Prishtinës, afër katedrales “Nënë Tereza”, dhe janë shoqëruar në Polici.

Ky aksion është ndërmarrë pasi Policia pranoi informatën nën dyshimin se një vajzë është rrëmbyer në Lipjan, e të dyshuarit kanë lëvizur në drejtim të Prishtinës.

Rastin për KALLXO.com e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

“Policia ka pranuar informatën se dyshohet qe një person i gjinisë femërore është rrëmbyer në Lipjan dhe të dyshuarit kanë lëvizur me një veturë në drejtim të Prishtinës. Njësitet policore, konkretisht ato per reagim të shpejtë të rajonit te Prishtinës, menjëherë pas pranimit te kesaj informate kane arrit qe ta identifikojnë dhe para pak çastesh në rr. Xhorxh Bush në Prishtinë e kanë ndaluar veturën e dyshimtë, me ç’rast 3 persona të dyshuar dhe një vajzë është shoqëruar në Polici për verifikime të mëtejme dhe sqarim nëse bëhet fjalë për ndonjë veprim të kundërligjshem”, ka thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.

“Është njoftuar edhe stacioni policor në Lipjan të cilët do të asistojne në trajtimin dhe sqarimin e rrethanave te metejme lidhur me rastin”, ka shtuar ai.

Një qytetar ka dërguar fotografi në adresë të KALLXO.com nga ky aksion i Policisë së Kosovës.