Finlandë, shoferi gjobitet me 121 mijë euro për tejkalim shpejtësie

Një vozitës i pasur është gjobitur me 121,000 euro për tejkalim të shpejtësisë në Finlandë, pasi gjobat e tilla llogariten në bazë të të ardhurave të një kundërvajtësi.

“Më vjen vërtet keq për këtë”, ka thënë Anders Wiklof për edicionin e së hënës të Nya Aaland, gazetës kryesore për Ishujt Aaland, një rajon autonom i Finlandës në Detin Baltik.

Ai gjithashtu ka shprehur shpresën se paratë që ka paguar do të përdoren për kujdesin shëndetësor.

Wiklof po udhëtonte me 82 kilometra në orë në një zonë me shpejtësi 50 kilometra në orë kur policia e ndaloi dhe e gjobiti të shtunën. Bashkë me marrjen e gjobës, atij i është pezulluar edhe patenta e shoferit për 10 ditë, shkruan gazeta e lartcekur.

Kampion në gjobat për shpejtësi

Nuk ishte hera e parë që Wiklof u kap duke ngarë shumë shpejt. Në vitin 2018, ai u gjobit me 63,680 euro dhe iu desh të paguante me 95,000 euro pesë vjet më parë, duke bërë gjithashtu tituj në mediumet ndërkombëtare edhe atëherë.

Me origjinë nga Aaland, Wiklof është kryetar i një kompanie që përfshin biznese në sektorët e logjistikës, shërbimeve të helikopterëve, pasurive të paluajtshme, tregtisë dhe turizmit. Ai mendohet të jetë banori më i pasur i Aaland dhe ndonjëherë quhet “mbreti” i zonës.

Arkipelagu ndodhet në hyrje të Gjirit të Bothnias, midis qytetit finlandez të Turkut, në bregun perëndimor të Finlandës kontinentale dhe kryeqytetit të Suedisë, Stokholmit./DW

Përgatiti: Nuhi Shala