Ferizaj, paraburgim për të dyshuarit për narkotikë

Gjykata e Ferizajt ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve Xh.B. dhe V.B.

Ata po dyshohen se e kanë kryer veprën penale në bashkëkryerje – shitblerje e narkotikëve.

Gjykata ka bërë të ditur se pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, të dyshuarve u ka caktuar masën e paraburgimit si masë adekuate në këtë fazë të procedurës.

Sipas Gjykates, më 25 tetor 2021 në Ferizaj, vetura me vozitës Xh.G., pas dhënies së shenjës nga patrulla për t’u ndalur për kontroll, vozitësi i veturës nuk është ndalur dhe ka vazhduar me shpejtësi në drejtim të Ferizajt.

Pas rreth 200 metrave, patrulla tjetër ka arritur që ta ndalë veturën, ku gjatë kontrollit të veturës, prapa karriges së pasagjerit, poshtë, është gjetur një çantë krahu, në brendësi të së cilës gjendej një qese e zezë najloni, e mbushur me narkotikë, e dyshuar për marihuanë.

Tutje sipas njoftimit të Gjykatës, gjatë kontrollit në banesën e të pandehurit janë gjetur edhe 13 qese najloni të mbushur me substancë narkotike e dyshuar për kokainë, me peshë të përgjithshme 4.1 gramë.

Ndërsa në banesën e të pandehurit V.B., janë gjetur mbetje të qeseve të najlonit, që dyshohet se janë përdorur për paketim të substancës narkotike të llojit kokainë që janë gjetur të gatshme te banesa e të dyshuarit Xh.G.

“Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve e ka aprovuar si të bazuar”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Ferizajt.