Foto-ilustrim

Ferizaj, 30 ditë paraburgim ndaj të dyshuarit për sulm seksual ndaj të miturës

Gjykata e Ferizajit ka miratuar kërkesën e Prokurorisë dhe ka caktuar masën e paraburgimit për A.F., i cili po dyshohet për sulm seksual ndaj të miturës.

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari Mustaf Tahiri ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri A.F., xhaxhai i babait të viktimës, më 7 mars 2021, në fshatin Dubravë –Ferizaj, në shtëpinë e përbashkët të tyre, për qëllime seksuale e ka keqpërdorur seksualisht 13-vjeçare.

Gjykata ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet për caktimin e paraburgimit, marrë parasysh se për këtë vepër penale hetimet nuk kanë përfunduar, dhe ende nuk janë dëgjuar para prokurorit të shtetit i pandehuri si dhe dëshmitarët e mundshëm.

Mbi këto arsye Gjykata vlerëson se po të gjendet i pandehuri në liri mund të ndikojë tek të njëjtit përkatësisht tek e mitura, si dhe te prindi i të miturës, me të cilët jetojnë në një shtëpi të përbashkët, me kate të ndara.

Më tutje sipas Gjykatës nëse i dyshuari gjendet në liri ekziston rreziku real dhe potencial se mund të ndikonte tek të njëjtit  në mënyrë që të deklarojnë ndryshe apo edhe të deklarojnë në favor të mbrojtjes së tij, andaj edhe mund të vijë deri te rrethanat me të cilat do ta pengonin zbatimin e suksesshëm të procedurës penale.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtyn ekzekutimin e tij.