Erzen Shkololli emërohet kurator i edicionit ardhshëm të ‘Autostrada Biennale’

“Autostrada Biennale”  në Prizren ka njoftuar se Erzen Shkololli është përzgjedhur kurator i edicionit të pestë, i cili do të mbahet prej 5 korrikut deri më 5 tetor 2025.

“Autostrada Biennale” u themelua në vitin 2014 me misionin për të përdorur artin bashkëkohor si një mjet për të fuquizuar komunitetin dhe për të nxitur kreativitetin me vizionin e një të ardhmeje më gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme.

Përmes një njoftimi “Autostrada Biennale” ka bëtë të ditur se ekspertiza e gjerë e Shkolollit dhe bashkëpunimi i tij me institucione vendore e ndërkombëtare dhe artistë të shumtë nga rajoni dhe bota i përshtatet në mënyrë të përkryer karakterit të Bienales.

“Erzeni bëhet kuratori i parë kosovar i bienales dhe bashkëpunimi ynë me të synon të përmbushë njërin prej qëllimeve tona për shndërrimin e artit në një forcë, që sjell ndryshime pozitive dhe mirëqenie”- thuhet në njoftim.

Erzen Shkololli (1976) është artist dhe kurator. Aktualisht, ai është kurator i përgjithshëm i galerisë Cukarna në Lubjanë. Shkololli ka qenë drejtor Galerinë Kombëtare të Kosovës (2011– 2015) dhe në  Galerinë Kombëtare të Arteve të Shqipërisë (2018–2022).  Shkololli ishte komisioner i pavijonit inaugurues të Kosovës në Bienalen e Venecias në 2013.

Në vitin 2013 bashkëthemeloi Institutin e Artit Bashkëkohor EXIT në Pejë.  Veprat artistike të Shkolollit janë ekspozuar në vende të ndryshme të botës dhe ka qenë kurator i shumë ekspozitave kombëtare e ndërkombëtare.