Foto: Autostrada Biennale.

‘Autostrada Biennale’ lanson hapësirën e re për komunikimin ndëretnik

“Autostrada Biennale” ka lansuar sot projektin më të ri  “Hapësirat e përbashkëta”, të mbështetur nga Ambasada amerikane në Prishtinë dhe bashkëfinancuar nga Komuna e Prizrenit.

“Hapësirat e Përbashkëta” do të shërbejë si vend takimi për të rinjtë dhe komunitetet e ndryshme, ku do të kenë mundësinë të kultivojnë komunikimin ndëretnik mbi çështjet sociale, kulturore, ekonomike ose mjedisore në nivel lokal.

Përmes këtij projekti, “Autostrada Biennale” synon që përmes edukimit, trajnimit dhe prodhimit të hapur drejt ekspozimit të zhvillojmë modele të reja të prodhimit kulturor që fuqizojnë sektorin krijues si një motor për zhvillim të qëndrueshëm.

Sipas njoftimit, të rinjtë do të bëhen pjesë e dizajnimit dhe krijimit të hapësirave të përbashkëta. Në këtë mënyrë ata do të bëhen pjesë e zhvillimit për të sjellë diskutime dhe ndryshime pozitive.

Ky program i edukimit do të jetë një mundësi unike për të rinjtë që t’i shprehin dhe realizojnë idetë e tyre.

“Hapësira me dy studiot e saj, punëtorinë e dizajnit industrial dhe laboratorin teknologjik, përmes programit të saj të edukimit do të angazhoj ekspertë në fushat e tyre dhe do të ketë një ndikim afatgjatë tek të rinjtë për profesionet e së ardhmes në lidhje me artin, teknologjinë dhe inovacionin”- thuhet ndër të tjerash në njoftimin e “Autostrada Biennale”-s.