‘Autostrada Biennale’ do të organizojë një punëtori artistike me Sislej Xhafën

“Autostrada Biennale” planifikon të organizojë një punëtori me krijuesin Sislej Xhafa, me titulli “Politika pa Maskë: Gënjeshtra si qëndrim”.

Punëtoria do të mbahet më 6 nëntor 2023 në Prishtinë dhe Prizren.

Përmes një njoftimi, “Autortrada Biennale” bën të ditur se përmes kësaj punëtorie, në një botë ku arti dhe politika përplasen, përzihen dhe zbulojnë mënyra më intriguese, synohet eksplorimi i ndërthurjes së këtyre dy fushave që duket të jenë të kundërta.

Kjo punëtori, thuhet në njoftim është një mundësi për pjesëmarrësit dhe për artistët të përcaktojnë, përballen dhe pyesin marrëdhënien komplekse midis politikës, dimenzionit social dhe artit.

“‘Politika pa Maskë: Gënjeshtra si qëndrim’ synon të ofrojë një platformë për pjesëmarrësit të thellojnë temat politike, sociale duke nënvizuar të vërtetën, gënjeshtrën dhe mashtrimet në botën reale. Ata do të mësojnë të përdorin artin si një mjet për komentim dhe kritikë, duke shqyrtuar narracionet sensitive të shoqërisë nëpërmjet instrumenteve artistike të ndryshme”- thuhet në njoftim.

“Autostrada Biennale” fton qytetarët që të aplikojnë për pjesëmarrje në punëtori, e cila do të jetë falas.

Punëtoria “Politika pa Maskë: Gënjeshtra si qëndrim” që pritet të mbahet më 6 nëntor 2023, fillon ora 12:30 në Prishtinë në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjeter Bogdani”, e cila vazhdon në autobus gjatë udhëtimit dhe do të përfundojë në ora 17:00 në Prizren në hapësirat e Autostrada Biennale Hangar.

Agjenda e punëtorisë, 6 nëntor 2023:

11:00: Nisja nga Prizreni për në Prishtinë për pjesëmarrësit nga regjioni i Prizrenit me autobus të organizuar nga Autostrada Biennale (vendtakimi Autostrada Hangar në ITP Prizren).

12:15: Arritja në Prishtinë tek Biblioteka Kombëtare ku do të mblidhen të gjithë pjesëmarrësit.

12:30-13:15:  Fillimi i punëtorisë me Sislej Xhafa brenda Bibliotekës Kombëtare (sesioni i parë)

13:20: Nisja për në Prizren.

13:30-14:30: Vazhdimi i punëtorisë në autobus (sesioni i dytë).

14:30-15:15: Drekë dhe kafe në Autostrada Hangar.

15:15-17:00: Vazhdimi i punëtorisë në Autostrada Hangar pjesa e fundit (sesioni i tretë).

17:15:  Nisja për në Prishtinë me autobus të organizuar për t’i kthyer pjesëmarrësit në Prishtina.