Hapet konkursi për inspektorë të punës, kërkohen 21 prej 100 sa ishin premtuar

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se është hapur konkursi për pranimin e inspektorëve të rinj të punës në gjithë regjionet e Kosovës.

Tetë inspektorë po kërkohen vetëm në regjionin e Prishtinës, ku momentalisht janë 6 inspektorë.

Në tryezën e organizuar sot nga Instituti Demokratik i Kosovës, me temën “Ku janë Inspektorët e Premtuar”, kryeinspektori i Punës Hekuran Nikçi shtjelloi problematikat me të cilat institucioni të cilin ai e drejton kanë hasur lidhur me rekrutimin e inspektorëve deri më tash.

Këto problematika kryesisht të natyrës ligjore u cekën edhe nga Bislim Bislimi, drejtor i Departamentit për menaxhiin e zyrtarëve publik (MZP), i cili në tryezën në fjalë u shpreh se është dashur të themelohet një grup punues “ad hoc” për kryerjen e procedurave të rekrutimit të inspektorëve të punës.

Konkurset e kaluara për këtë pozitë pune, në të kaluarën kanë qenë vetëm lëvizje paralele brenda Shërbyeseve Publikë përmes konkurseve të brendshme, gjë për të cilën Kryeinspektor i Punës Nikçi u shpreh se kanë dështuar.

Vitin e kaluar, nga 27 inspektorë të kërkuar, kishin arritur të rekrutonin vetëm 8 prej tyre.

Në shkurt të vitit 2021, pesëfishimi i inspektorëve të punës kishte qenë pjesë e Planit Qeverisës të partisë në pushtet.

“Ky premtim elektoral nuk është realizuar. Për më tepër, jo që nuk është rritur numri i inspektorëve, por nga 39 sa kishte qenë numri i tyre në vitin 2020, kishte rënë në 33”- thuhet në hulumtimin e IDK-së.

Në konkursin e shpallur nga Ministria, tek kriteret e përgjithshme formale nuk figuron kualifikimi i kërkuar arsimor në fushën e juridikut. Ndonëse, Kryeinspektori Nikçi e potencoi se është një fushë e rëndësishme dhe se inspektorët e rinj duhet të jenë të kualifikuar.

Konkursi i shpallur më datë 20.04.2023, do të jetë i hapur nga data 17.05 deri më 25.05.2023, për  gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët i plotësojnë kushtet sipas përshkrimit në konkurs.

#KallxoPernime në ditën e punëtorëve më 1 Maj, transmetoi emision me familjarët e punëtorëve që humbën jetën si pasojë e aksidenteve në vendet e punës.