PAMJE - Kontrollet e inspektorëve të punës marketeve të Prishtinës
Inspektimet e marketeve të mëdha të kryeqytetit, inspektime që për qëllim kanë zbulimin nëse po respektohen të drejtat e punëtoreve, orari i punës, po ashtu rregullat e sigurisë dhe shëndetit në punë, janë shfaqur në emisionin #KallxoPernime.
Inspektorati i Punës ka urdhëruar një operacion kontrolli në mes muajve gusht dhe fillimin e shtatorit.
Dy inspektorë të punës nisen në pikën e parë të marketit i cili do inspektohet, ata e njoftojnë menaxherin në lidhje me inspektimin e tyre.
“Jemi prej Inspektoratit të Punës, Luan Kastrati dhe Fatmir Halili. Në bazë të planifikimeve për inspektime në terren kësaj here e kemi inspektimin e marketeve. Do fillojmë këtë rast te marketi juaj. Një inspektim i rregullt ku do të kërkohet dokumentacioni nga marrëdhënia e punës dhe siguria dhe shëndeti në punë”, sqaron fillimisht inspektori.
“Dokumentet të cilat do t`i kërkojmë në fund të raportit zyrtar do të lëmë një afat për me i sjellë në Inspektorat dhe më pas do konstatojmë mbi ecurinë e marrëdhënies dhe shëndetit në punë në këtë market”- i tregon inspektori Kastrati menaxherit të një marketi.
Inspektimi fillon duke i kërkuar kontratat dhe listën e punëtorëve duke i nda në gjini se sa burra dhe sa gra punojnë në atë vend pune.
“Për këtë pikë kërkohen kontratat e punëtorëve, nuk dmth me m`i sjellë tash por para se m`i sjellë këto tregona sa punëtorë janë gjithsejtë në këtë pikë, dhe nëse mundesh me printu një listë të punëtorëve”- thekson Kastrati.
Deri sa dy inspektorët ishin duke i pritur kontratat dhe listën e punëtoreve në inspektim bashkëngjiten dhe kryeinspektori Hekuran Nikçi dhe zëvendësministri i Financave Agon Dobruna.
Nikçi i njofton menaxherët se janë në një fushatë vetëdijesimi për respektimin e të drejtave të punëtoreve që burojnë nga ligji i punës.
“Qëllimi primar i yni është vetëdijesimi i punëdhënësit në raport me punëmarrësit”- theksoi kryeinspektori Nikçi.
Zv/ministri Agon Dobruna tha se qëllimi i inspektimit është vetëdijesimi i për zbatimin e ligjit të punës si për punëdhënësit ashtu edhe për punëmarrësit.
“Qeveria e Kosovës është shumë e interesuar në respektimin e ligjit të punës veçanërisht për të drejtat e punëtoreve mirëpo gjithashtu edhe për punëdhënësit për obligimet e punëtorëve që i kanë ndaj punës”- tha Dobruna.
Menaxherët e kompanisë thanë se inspektimi dhe vizitat e inspektorëve u ndihmojnë atyre që të përmirësohen në rastet ku ka mundësi.
“Sigurisht informimi dhe asistimi i inspektorëve të punës edhe për neve është një ndihmesë. Çdo herë kemi pas bashkëpunim shumë të mirë me inspektorët e punës dhe na ndihmojnë të i shtyjmë proceset përpara”- theksoi njëri nga menaxherët e atij marketi.
Inspektimi vazhdon me kërkesën e inspektorëve që në IP të sillen kërkesa për vendimet e pushimeve vjetore për të gjithë punonjësit dhe vendimet e pushimeve për vitin 2022.
Inspektimet vazhdojnë edhe për aparatet për fikjen e zjarrit dhe kontrollet mjekësore të punëtorëve. Këto ishin kërkesat e fundit të inspektorëve para se ta mbyllin inspektimin.
Inspektorët gjithashtu fillojnë edhe marrjen e disa deklaratave nga punëtorët për kushtet e punës.
Dy inspektorët nisen për në pikat tjera të marketeve. Inspektorët kërkojnë nga menaxherët të dëshmohet me dokumentacion se a ka në atë vend pune punëtorë me aftësi të kufizuar, ashtu si e kërkon ligji për kompanitë që numërojnë mbi 50 punëtorë.
Ligji kërkon pagesa e respektim të orarit të punës por një gjë tjetër e rëndësishme është respektimi i rregullave të sigurisë dh shëndetit në punë.
Ndërprerja e marrëdhënies së punës në tre format e saj, qoftë duke e lënë punën punëtori, ose duke ja ndërprerë kontratën punëdhënësi, apo edhe me pëlqimin e dy palëve kërkohet prezantimi i dokumenteve se a janë në përputhje me ligjin.
Puna në zyret e kompanive përfundon dhe inspektorët kontrollojnë në vendin e punës për t`i verifikuar aparatet kundër zjarrit dhe marrjen e deklaratave prej punëtorëve lidhur me të drejtat e tyre në punë.
Inspektorët pasi përfundojnë me vizitat inspektuese në këto markete, kompanive u lihet një kopje e raportit dhe ajo obligohet që të gjitha dokumentet e kërkuara t’i sjellë në Inspektoratin e Punës që të dëshmon edhe me dokumente se ka apo jo shkelje të të drejtave të punëtorëve.