Gjykimi për rastin e vdekjes së 7-vjeçares, dëshmitar Valon Hyseni- Foto: KALLXO.com
Eksperti mjekoligjor dëshmon në gjykimin e dy mjekëve të akuzuar lidhur me rastin e vdekjes së 7-vjeçares
Në gjykimin ndaj Alban Gjonbalajt dhe Arben Kutllovcit, të akuzuar për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor lidhur me rastin e vdekjes së një 7-vjeçareje, ka dhënë dëshminë e tij eksperti mjekoligjor, Valon Hyseni, i cili ka përpiluar raportin e autopsisë.
Rasti ka ndodhur më 2020, kur e mitura ishte dërguar si paciente për të kryer rezonancën magnetike.
Valon Hyseni dëshminë e tij lidhur me këtë rast e nisi duke treguar se në Institutin e Mjekësisë Ligjore është që nga viti 2012 dhe se të akuzuarit i njeh për shkak të raportit kolegial.
Hyseni tha se gjatë autopsisë prezentë në sallë ishin edhe tekniku i autopsisë dhe fotografi mjekoligjor.
Eksperti mjekoligjor konfirmoi konkluzionin që e kishte përpiluar në pikën 6 të raportit të autopsisë. Sipas tij, pika gjashtë e raportit tregon se vdekja e 7-vjeçares ka ardhur për shkak të dridhjes së muskulit të zemrës, pra ka pasur rrahje të pakontrolluar.
Eksperti vazhdoi me elaborimin e raportit që kishte përpiluar duke treguar se në pikën 7 të raportit është thënë se “është e mundur që substancat anestetike të përdorura gjatë MRI-s kanë mundur të jenë shkëndiat që e kanë iniciuar zinxhirin kompleks që ka ndërhyrë deri në mekanizmin e vdekjes”.
Sipas Hysenit, substancat që janë përdorur gjatë MRI-së (rezonancë magnetike) nuk kanë mundur ta shkaktojnë dridhjen e muskulit të zemrës pasi, sipas tij, është një sëmundje që i duhet kohë që të zhvillohet dhe ajo nuk krijohet atypëraty.
Sipas ekspertit, në momentin kur është bërë autopsia e të ndjerës, janë marrë mostrat për ekzaminim, gjithsej kanë qenë pesë mostra të marra, tri prej tyre ishin marrë në zemër.
Njëra mostër ishte marrë në barkushën e majtë, njëra mostër në barkushën e djathtë dhe mostra e tretë e zemrës ishte marrë në pjesën e cila ndan barkushet mes vete.
Familjarët e të ndjerës duke mos u pajtuar me ekspertizën propozuan që të dëgjohet si dëshmitar drejtoresha e Toksikologjisë pasi vërejtja e tyre ishte se në mostrat e gjakut nuk ishin specifikuar të gjitha llojet e medikamenteve mjekësore që kishte përdorur vajza e tyre.
Para dëgjimit të ekspertit i cili e ka përpiluar raportin e autopsisë janë dëgjuar edhe ekspertët e patologjisë pranë IML-së, Vesa Kotorri dhe Islam Kryeziu.
Detyra e dy patologëve që dëshmuan sot, sipas tyre, është që të bëjnë ekzaminimin histopatologjik të mostrave indore, të cilat mjekoligjorët i marrin gjatë autopsisë.
Të akuzuarit lidhur me akuzat që Prokuroria ua vë në barrë nuk e kishin pranuar fajësinë.
Ky rast po trajtohet nga gjyqtarja Naime Krasniqi-Jashanica, ndërsa prokurore e kësaj çështjeje është Ardiana Veseli.
Lidhur me këtë rast KALLXO.com në vitin 2021 kishte transmetuar emisionin me titull “Misteret e Vdekjeve“, ku kishte trajtuar edhe rastin e 7-vjeçares.
Çfarë thotë dosja e Prokurorisë?
Sipas dosjes së Prokurorisë të akuzuarit Alban Gjonbalaj dhe Arben Kutllovci, gjatë punës së tyre si mjekë, me rastin e dhënies së shërbimeve të kujdesit shëndetësor, nuk i kishin zbatuar rregullat e profesionit të kujdesit shëndetësor duke vepruar haptazi në mënyrë të pakujdesshme, duke përdorur mjete apo metoda të papërshtatshme të mjekimit, ku si rezultat i këtyre veprimeve, kishte ardhur deri te vdekja e pacientes, tani të ndjerës T. H.
Tutje sipas aktakuzës me datë 04.08.2020, i pandehuri Arben Kutllovci gjatë trajtimit mjekësor, kryerjes së rezonancës magnetike për pacienten T. H., i pandehuri Arben Kutllovci ishte dakorduar me të dëmtuarën – dëshmitaren L.H që më 04.08.2020 të kryhet rezonanca magnetike për vajzën e saj – pacienten, tani të ndjerën T.H.
Në aktakuzë thuhet se paraprakisht me rastin e ofrimit të shërbimeve shëndetësore ka pranuar dhe udhëzuar ekzaminimin e “MRI ALL Body”, në kundërshtim më praktikat dhe legjislacionin në fuqi, duke kryer një intervenim të tillë pa qenë i pajisur me udhëzimin për ekzaminim si dhe nuk ka bërë evidentimin e personelit mjekësor dhe dokumentacionit shëndetësor dhe dokumentacionit shëndetësor për trajtimin e pacientes.
Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri Alban Gjonbalaj më datë 04.08.2020, rreth orës 09:15 min në ambientet e Klinikës “CT SCANER”, me rastin e ofrimeve shëndetësore, ka vlerësuar në mënyrë jo të drejtë gjendjen e pacientes T.H, duke mos bërë matjen e peshës trupore.
Gjithnjë sipas aktakuzës ekzaminimi i pacientes është bërë pa udhëzim të mjekut si dhe incizimi i rezonancës magnetike të tërë trupit të pacientes është bërë pa prezencën e mjekut Specialist të Radiologjisë, por në prezencë të Muhamet Berisha – Teknik i Radiologjisë pa licencë valide të punës.
Në aktakuzë thuhet se si pasojë e mostrajtimit të veçorive individuale të organizimit apo të ndjeshmërisë në barnat e përdorura, i pandehuri Alban Gjonbalaj ia ka dhënë dozën e parë të anestezionit pacientes ndërsa pas 10 -15 minutash të njëjtës i është dhënë edhe doza e dytë e anestezionit, ku pas kësaj i është përkeqësuar gjendja shëndetësore dhe përkundër ndihmës së parë dhe dërgimit në urgjencë në QKUK, pacientja pas dy orësh kishte ndërruar jetë.
Dosja e Prokurorisë përshkruan se nga raporti i autopsisë Nr MA 20-215, datë 05.08.2020 vërtetohet se tani të ndjerës T.H i është përkeqësuar gjendja gjatë procedurës se MRI nën anestezion të përgjithshëm dhe se është e mundur që substancat anestetike të përdorura gjatë anestezionit -MRI-së, të kenë qenë shkëndija që ka iniciuar këtë zinxhir kompleks që ka ndërhyrë në mekanizmin e vdekjes.
Më këtë kanë kryer secili veç e veç veprën penale – trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor.