Eksperti amerikan: Serbët në Kosovë duhet të binden se në interesin e tyre është euro e jo dinari

Ndalimi i përdorimit të dinarit serb, njëjtë si i çdo valute tjetër- pos euros, si mjet për kryerje të pagesave në Kosovë ka nxitur reagime si brenda ashtu edhe jashtë vendit.

Rregullorja e Bankës Qendrore e cila ka hyrë në fuqi nga 01.02.2024, ndonëse sipas autoriteteve kompetente synon të luftojë qarkullimin e parave të falsifikuara, po vazhdon të kundërshtohet nga serbët e Kosovës.

 “Monedha e vetme e lejuar për të kryer transaksione me pagesë në cash dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro” – shkruan në këtë rregullore.

Lidhur me situatën e krijuar, Profesori në Universitetin Johns Hopkins në SHBA, Daniel Serwer thotë që institucionet e Kosovës duhet t’i bindin serbët lokalë se në interesin e tyre është të qëndrojnë në euro e jo në dinarin serb.

“Beogradi po e bën të vështirë, por Prishtina duhet të bëjë më shumë për të arritur dhe për të bindur serbët e Kosovës se interes i tyre është të qëndrojnë në euro dhe jo në dinar serb, në institucionet e Kosovës dhe jo në bandat e krimit të organizuar të sponsorizuara nga Beogradi, dhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës e jo në ushtrinë serbe …”- tha Serwer në një intervistë për KALLXO.com.

Kështu u përgjigj Serwer në pyetjen e KALLXO.com se me cilat sfida të vazhdueshme po përballet Kosova në konsolidimin e demokracisë së saj dhe cilat veprime të synuara ai beson se janë të nevojshme për t’i adresuar në mënyrë efektive.

Serwer thotë që gjëja e vetme më e rëndësishme është fitimi i besimit dhe besnikërisë së serbëve të Kosovës. 

“Me këtë, kërcënimi kryesor i sigurisë së Kosovës do të zhdukej, ekonomia e saj do të përmirësohej dhe integrimi rajonal do të hapej”- shtoi Serwer.

OSBE-ja, BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje për Kosovën që të ndalë veprimet e njeanshme që prekin komunitetin serb për të evituar eskalimin e tensioneve, duke kërkuar kohë për zbatimin e politikës për përdorim të euros për serbët në Kosovë.

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit James O’Brien tha se Shtetet e Bashkuara janë shumë të shqetësuara me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar përdorimin e dinarit.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, O’Brien tha se me këtë qëndrim, Qeveria e Kosovës ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara.

“Unë nuk bëj kërcënime të vagëta në publik. Unë do të thoja, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë Qeverinë e Kosovës si partnere”- tha O’Brien më 13.02.2024.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 12.02.2024 hodhi poshtë mundësinë për shfuqizim të vendimit.

“Tani, edhe partnerët tanë amerikanë dhe evropianë po thonë se rregullorja është ligjore sepse po e lufton financimin e terrorizmit, aktivitetet e paligjshme, por ne nuk duhet të ngutemi shumë në zbatimin e plotë. Dhe kështu do të veprojmë gjatë shkurtit”- tha Kurti në një intervistë për median Bloomberg më 12.02.2024.

Ndërkaq, Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, në një intervistë për “Kallxo Përnime” më 04.02.2024 sqaroi se politika për përdorim vetëm të euros nuk i pengon serbët në Kosovë që të mbajnë dhe të marrin dinarë, por rregullon importin dhe konvertimin e tyre si dhe lufton rrjedhën e parave të paligjshme nga Serbia.

Ismaili tha se vetëm në vitin 2023, mbi 200 milionë euro kanë hyrë në Kosovë nga Serbia,  kryesisht në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës. Ismaili insiston se askush nuk ndalohet të mbajë, konvertojë, ose pranojë fonde në dinarë, përderisa gjithçka bëhet përmes transaksioneve legale.

Monedhat e tjera jo-euro mund të përdoren vetëm si vlera për ruajtje në formë fizike, ose në llogari bankare në monedha jo-euro, për kryerje pagesash ndërkombëtare në monedha jo-euro dhe për veprimtaritë e këmbimit valutor, shkruan në rregullore.

Kundër zbatimit të kësaj rregulloreje, qytetarë të komunitetit serb në Kosovë, me 12.02.2024 protestuan në Mitrovicën e Veriut.

“Pensionin tërë jetën e kam bërë, nuk ia jap Kurtit”, “Europë hapi sytë”, “Pa ndihmë sociale nuk do të kemi as ushqim”, ishin disa nga parullat e vendosura nëpër pankarta të protestuesve.

Ndërkombëtarët i kanë kërkuar Kosovës që të shtyjë zbatimin e rregullores, duke thënë se duhet më shumë kohë për adaptimin e komunitetit serb me vendimin.

Qeveria e Kosovës ka thënë se përgjatë shkurtit do të ketë fushata për informimin e serbëve për këtë vendim dhe në këtë kuadër, Kurti më 11.02.2024 iu adresua qytetarëve serbë, në gjuhën serbe, duke thënë se vendimi nuk e ndalon Serbinë që të vazhdojë të ndihmojë serbët në Kosovë.

Gjatë një seance të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara më 08.02.2024, në të cilën u diskutua për situatën në Kosovë pas vendimit për ndalimin e dinarit, Serbia dhe Rusia thanë se me këto veprime Kosova po kryen “spastrim etnik” ndaj serbëve në Kosovë.

“Më lejoni të jem i qartë, Rregullorja e BQK-së nuk bën asgjë për të ndaluar apo parandaluar Qeverinë e Serbisë nga sigurimi financiar për serbët e Kosovës. Çdo sugjerim nuk është asgjë tjetër pos propagandë e rreme që ka për synim të nxisë tensione etnike”- deklaroi Kurti në Këshillin e Sigurimit.

Ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield, tha se SHBA kërkon nga Kosova dhe Serbia që të përmbahen nga veprimet e pakoordinuara apo përshkallëzuese.