Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Kosova në kohë luftërash në botë: mes dialogut të zbehur dhe nevojës për stabilitet
Menjëherë pas takimit mes kryeministrit Albin Kurti dhe emisarit të Bashkimit Europian për Dialogun, Peter Sorensen – ku u dakorduan për lehtësira për komunitetin serb në aspektin e zbatimit të Ligjit për të Huajt dhe atij për Automjete – shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, tha se kjo marrëveshje është momentum i ri për Dialogun dhe u shpreh e gatshme për organizimin e një takimi të nivelit të lartë në Bruksel.
Edhe pse realizimi i këtij takimi mbetet ende i paqartë, këto përpjekje po ndodhin në një kohë kur vëmendja ndërkombëtare është zhvendosur drejt konflikteve në Lindjen e Mesme dhe Europën Lindore. Pikëpyetje mbetet edhe nëse vendimi i Kurtit ishte një manovër strategjike për të ruajtur qetësinë në veri gjatë kësaj pasigurie globale. Por, ajo që është e qartë: tensionet potenciale u shmangën.
Në një vlerësim të përgjithshëm, shihet dukshëm se dialogu Kosovë-Serbi nuk është në top-prioritetet e faktorëve vendimmarrës, për shkak se vëmendja është te vatrat e luftës. Kosovës i kërkohet stabilitet i brendshëm dhe ruajtja e partneriteteve strategjike.
Hapat pragmatikë dhe kompromiset në terren
Profesori në Universitetin “Johns Hopkins” në SHBA, Daniel Serwer, vlerëson se rëndësia e Dialogut Kosovë–Serbi në skenën ndërkombëtare ka rënë ndjeshëm.
“Nëse e shohim në kontekstin e madh global, ky dialog ka rënë ndjeshëm në listën e prioriteteve. Megjithatë, brenda strukturave të BE-së dhe SHBA-së ka gjithmonë zyrtarë të niveleve të mesme që merren me këto tema. Pra, dialogu mbetet një çështje burokratike e këtyre niveleve, por nuk është më në ‘top-listën’ e fuqive të mëdha” – tha Serwer për KALLXO.com.
Ky ndryshim i fokusit vjen në një moment kur Kosova ka ndërmarrë hapa të rinj në raport me komunitetin serb në veri. Ligji për të Huajt, i cili lejon pajisjen me leje qëndrimi për qytetarët serbë pa dokumente të Kosovës, por me ato të strukturave ilegale për 12 muaj, shihet nga Serwer si një zhvillim pozitiv.
“Për motivet duhet pyetur vetë Albin Kurti. Personalisht, e shoh si një hap të mençur që ndihmon në normalizimin e statusit të qytetarëve serbë në veri të Kosovës” – tha Serwer.
Kurti përherë ka qenë kundër strukturave ilegale dhe një dakordim i tillë u pa me çudi.
“Lista që do shërbejnë si bazë për dhënien e lejeve të përkohshme të qëndrimit për qytetarët e huaj që aplikojnë në Ministri. E njëjta vlen edhe për studentët e huaj që qëndrojnë në Kosovë, për të cilët krerët komunalë do ofrojnë listën e plotë. Këtyre studentëve MPB do ju ofrojë leje të përkohshme qëndrimi për 12 muaj me mundësi vazhdimi” – tha Kurti kur u dakordua për lehtësirat shtesë.
Megjithatë, pritjet për përparim të shpejtë në dialog mbeten të kufizuara.
“Presioni ndërkombëtar për kompromise nuk do të ndalet kurrë, por shpresoj që ndërmjetësit të nxjerrin mësim nga ky rast. Përparimi është i mundshëm vetëm kur çështjet trajtohen si teknike dhe jo politike” – shtoi ai.
Sipas tij, temat e mëdha, si Asociacioni apo njohja reciproke, nuk janë ende “të pjekura” për t’u zgjidhur; ato thjesht e mbysin dialogun.
“Duhet fokusuar te ajo që mund të arrihet konkretisht, dhe jo te dëshirat e mëdha që nuk realizohen dot për momentin” – tha ai.
Kriza e brendshme dhe raportet me BE-në
Profesori i negociimit ndërkombëtar në shkollën IESEG në Paris, Valon Murtezaj, vë në pah një kombinim faktorësh të brendshëm dhe të jashtëm që kanë ndikuar në pozitën aktuale të Kosovës.
Ai thekson se vendi është përballur me “pasivizimin e institucioneve kryesore si Kuvendi dhe Qeveria” dhe së fundmi edhe me krizën rreth zgjedhjes së Presidentit, çka e dëmton perceptimin ndërkombëtar.
Murtezaj gjithashtu rikujton periudhën e masave të Bashkimit Europian ndaj Kosovës, duke theksuar nevojën për shtendosje të marrëdhënieve. Në këtë kontekst, kompromiset mund të kenë rol konstruktiv.
“Prandaj, ky kompromis ofron një zgjidhje të përkohshme dhe mund të shërbejë si një hapësirë e konstruktivitetit. Në përgjithësi, në procese negociatore, duke pranuar lëshime të kufizuara për një periudhë të caktuar, palët krijojnë mundësi për të rindërtuar besimin dhe për të rihapur kanalet e dialogut. Gjithsesi, këto duhet bërë pa braktisur parimet themelore ligjore dhe kushtetuese të Republikës së Kosovës” – tha ai për KALLXO.com.
Murtezaj nënvizon edhe mungesën e transparencës në vendimmarrje nga ana e institucioneve të Kosovës.
“Qeveria e Kosovës duhet gjithmonë ta ketë parasysh se transparenca ndihmon në qartësimin e dilemave që mund të kenë qytetarët” – shtoi ai.
Në anën tjetër, në këtë kohë të ndryshimeve globale, ish-zëvendësndihmësi i Sekretarit të Përgjithshëm për Sfidat e Sigurisë në Zhvillim në selinë e NATO-s në Bruksel, Jamie Shea, kërkon më shumë stabilitet institucional dhe përmirësim të marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë nga ana e Kosovës.
“Të them të drejtën, situata nuk është e mirë për momentin dhe nuk jemi aty ku duhet të ishim. Kosova duhet ta kapërcejë ciklin e saj të pafund zgjedhor dhe të bjerë dakord për një President të ri. Kemi nevojë për më shumë stabilitet në qeverisje” – tha ai për KALLXO.com.
Ai nënvizon gjithashtu rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve dhe një qasjeje më të balancuar në dialog.
Shea thotë se marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në dhe BE-në duhen përmirësuar dhe duhet rikthyer besimi kur bëhet fjalë për strategjinë dhe respektimin e angazhimeve.
“Korniza e Ohrit është një themel i mirë, por na duhet një udhërrëfyes për zbatimin e saj dhe një presion i vërtetë mbi Beogradin dhe Prishtinën për të ecur përpara paralelisht. Jo që njëra palë të bëjë të gjitha lëshimet ndërsa tjetra pret. Sigurisht, BE-ja duhet të mbajë një qëndrim më të ashpër me Serbinë në lidhje me njohjen e Kosovës, nëse dëshiron që ajo të avancojë drejt anëtarësimit në BE” – shtoi ai.
Ndërsa, në anën tjetër, ai iu kundërpërgjigj pretendimit të presidentit amerikan, Donald Trump, për “përfundimin e luftës” në Kosovë si të pavërtetë, ose të paktën të parakohshëm, duke theksuar se ky “sukses” mund të pretendohet vetëm kur Uashingtoni të ushtrojë presion real për ta detyruar Beogradin të ulet seriozisht në tryezën e bisedimeve.
Përtej zhvillimeve politike dhe të sigurisë, një element gjithnjë e më i rëndësishëm në pozicionimin ndërkombëtar të Kosovës mbetet mënyra se si ajo komunikon me botën. Prej kur ka nisur lufta në Iran, ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, është aktivizuar në rrjetin social “X” duke treguar në vazhdimësi mbështetjen e Kosovës ndaj SHBA-së dhe qëndrimin kundër Iranit.
Profesori Valon Murtezaj thekson rëndësinë e këtij dimensioni në politikën e jashtme. Sipas tij, aktivitetet në platformat sociale sot janë shumë të rëndësishme për secilën qeveri, sidomos në politikën e jashtme, dhe qëndrimet e shpalosura përmes formave të ndryshme dhe plasimi i tyre në publikun global kanë ndikim në zbatimin e strategjisë që duhet të ketë Ministria e Jashtme.
“Në këtë mënyrë, çfarëdo aktiviteti, qëndrimi apo sinjali që përcillet përmes komunikimit duhet të jetë i ndërtuar dhe i bazuar në strategjitë përkatëse të Ministrisë së Jashtme. Republika e Kosovës, në kuadër të sistemit të marrëdhënieve ndërkombëtare, është pjesë e aleancave me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, prandaj çdo aktivitet duhet të shkojë në këtë funksion” – shtoi ai.
Roli i NATO-s dhe siguria në një botë në krizë
Në dimensionin e sigurisë, ish-zëdhënësi i NATO-s gjatë intervenimit të Aleancës Euro-Atlantike në vitin 1999, Jamie Shea, e vendos Kosovën në një kontekst më të gjerë ndërkombëtar, duke theksuar rëndësinë e vazhdueshme të NATO-s dhe KFOR-it.
Sipas tij, nuk është ende koha që vendi të mbështetet vetëm te forcat e veta të brendshme.
“Mendoj se rreziku kryesor është që SHBA-ja të tërheqë forcat e saj nga Kosova. Ka pasur disa zëra nga Pentagoni në këtë drejtim. Por pjesa më e madhe e trupave të KFOR-it janë evropiane dhe turke, dhe KFOR-i mund të vazhdojë si një operacion i NATO-s… megjithëse largimi i tyre do të ishte për të ardhur keq” – shtoi ai.
Duke i përmendur sinjalet që vijnë nga Pentagoni në këtë drejtim, Shea thekson se megjithëse misioni paqeruajtës në një skenar tjetër mund t’i mbijetojë këtij largimi duke u mbështetur te forcat evropiane dhe turke nën një operacion të udhëhequr nga BE-ja, realiteti për Prishtinën mbetet i brishtë.
“Por mendoj se, duke pasur parasysh brishtësinë e vazhdueshme të situatës, prania ndërkombëtare paqeruajtëse kërkohet ende dhe nuk është koha për t’u mbështetur vetëm në forcat e brendshme të sigurisë së Kosovës. Vlera parandaluese (dekurajuese) e një force ndërkombëtare mbetet e nevojshme” – tha ai.
Shea përfundon se kosovarët meritojnë të jetojnë në paqe dhe barra e ruajtjes ndërkombëtare të paqes është gjithmonë më e vogël se kostoja e ndërhyrjeve të reja ushtarake nëse dhuna do të rikthehej ndonjëherë.
Në mars u bën tri vite që kur në Ohër të Maqedonisë së Veriut, kryeministri kosovar Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq, ranë në ujdi që të zbatojnë Aneksin e Marrëveshjes Bazike që ishte arritur në Bruksel, në ditët e fundit të shkurtit 2023.
Dy liderët u pajtuan që Kosova dhe Serbia të zhvillonin marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën dhe ndër tjera t’i njihnin dokumentet relevante dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës, përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore.
Marrëveshja me 11 nene, ndër tjera parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.
Megjithatë kjo marrëveshje ende ka mbetur e pazbatuar.