Ilustrimi. Besnik Krivanjeva/KALLXO.com
Parashikimi amerikan për “fundin e Europës”, sinjal për pasojat që mund t’i kanosen Kosovës
Për ta bërë më të prekshëm konceptin politik “Amerika e Para”, presidenti amerikan Donald Trump sheh një formë “dirigjimi” të vizionit të tij politik edhe brenda kontinenteve të tjera- përshirë Europën. Në frymën e kësaj, SHBA është treguar e ashpër ndaj Bashkimit Europian në strategjinë e fundit të sigurisë, duke ngjallur pikëpyetje dhe shqetësime te zyrtarët e mekanizmit kryesor të kontinentit më të vjetër.
Strategjia Kombëtare e Sigurisë e SHBA-së përdor një diskurs të drejtpërdrejtë, që ka ngritur alarmin për mënyrën se si Amerika e sheh Europën, madje duke parashikuar një “fund” të kontinentit nëse nuk e ndryshon qasjen aktuale.
Dokumenti që bëri bujë “predikon” se “nëse trendet aktuale vazhdojnë, kontinenti mund të jetë i panjohur brenda 20 vjetësh ose më pak” dhe kështu “minohet liria dhe sovraniteti politik” i shteteve anëtare. SHBA-ja, nën udhëheqjen e Trumpit, ka kritikuar BE-në për rrezikun e humbjes së identitetit kombëtar të shteteve, politikat e migrimit, ndikimin në zhvillimin ekonomik dhe censurimin e lirisë së shprehjes.
Strategjia thekson se: “Qëllimi ynë duhet të jetë të ndihmojmë Europën që të korrigjojë drejtimin e tanishëm.”
Profesori i Universitetit Johns Hopkins, Daniel Serwer, vlerëson se kjo strategji është e ndërtuar mbi pikëpamjet e ekstremistëve të krahut të djathtë amerikan. Përkundër vlerësimit të Trumpit për BE-në, ai konsideron se BE-ja është tashmë e panjohur në krahasim me 20 vjet më parë, “mirëpo në kuptimin e mirë të fjalës”, pasi sipas tij, është përmirësuar në mënyrë dramatike.
“Pres që këto përmirësime të vazhdojnë t’i bëjnë europianët më të pasur dhe më të lumtur. Kjo është ajo që familja ‘Trumpkin’ do të donte të parandalonte, pasi një Europë më e fortë do të refuzonte të ngacmohej nga SHBA-ja” – tha ai për KALLXO.com.
Edhe pse Kosova nuk është pjesë e BE-së, ajo mbetet e varur nga stabiliteti dhe funksionaliteti i saj.
Ekspertja nga Grupi Këshillëdhënës për Politika të Ballkanit në Europë (BIEPAG), Donika Emini, thekson se Kosova në këtë dokument përfshihet vetëm si pjesë e arkitekturës së sigurisë europiane, por nuk e përjashton mundësinë që qasja amerikane të sjellë pasiguri për vendin.
Ajo vlerëson se një strategji që “predikon” shpërbërjen apo dobësimin e BE-së, nëse do të materializohej, do ta linte fatin e vendeve të vogla si Kosova të lidhur me një fjalë të vetme: PASIGURI.
“Ne do të hynim në një periudhë që nuk e kemi parë më herët, një periudhë ku jo vetëm Kosova, por i gjithë Ballkani Perëndimor do të gjendej pa një kornizë të qartë politike, pa një vizion të qartë integrimi, dhe pa një qasje të koordinuar të BE-së ndaj rajonit” – deklaron ajo.
Sipas saj, kjo do të ishte jashtëzakonisht problematike, sepse BE-ja, me gjithë mangësitë e saj, luan një rol kyç në mbështetjen e shoqërisë civile, sundimit të ligjit, demokratizimit dhe zhvillimit të vendeve si Kosova.
“Një BE e dobët, ose një BE e shpërqendruar nga kriza e brendshme, do të linte shumë prej këtyre proceseve në gjysmë. Vendet e vogla, praktikisht, do të mbeteshin të pavëzhguara dhe të paintegruara, në një hapësirë gjeopolitike që është tejet e paparashikuar” – përfundon ajo.
Sipas Eminit, i vetmi “lajm i mirë” për Kosovën është se ajo mbetet pjesë e agjendës amerikane, megjithëse edhe kjo vjen me pikëpyetje, pasi “nuk është e qartë se cili është vizioni i SHBA për Kosovën dhe rajonin në një Europë që mund të jetë e dobësuar dhe e paqartë”.
Ajo shton se fakti që shumë vende të rajonit e kanë bazuar transformimin e tyre në varësinë strukturore nga procesi i zgjerimit të BE-së, e bën situatën edhe më delikate.
“Nëse BE-ja dobësohet, humbë vullneti apo humbë kapaciteti për ta mbajtur Ballkanin në një trajektore demokratike, atëherë Kosova dhe fqinjët e saj mbeten para një realiteti të ri për të cilin nuk janë aspak të përgatitur”- shtoi ajo.
Në botëkuptimin e saj, një BE e dobët ose e fragmentuar krijon një vakum strategjik dhe për Kosovën kjo nënkupton një nivel pasigurie të paparë më herët, si politikisht ashtu edhe në aspektin e sigurisë.
Kosova, në strategjinë amerikane, shihet si pjesë e një rajoni me paqëndrueshmëri të lartë, të cilin BE-ja – sipas këtij narrativi amerikan – nuk ka ditur ta menaxhojë.
“Dhe këtu ka të drejtë. Prandaj edhe pretendimi se SHBA-ja ka ‘zgjidhur’ çështjen Kosovë–Serbi është një pretendim që më shumë shërben për narrativë të administratës Trump për profilin e tij të ‘liderit të paqes’ sesa për realitet në terren” – tha ajo.
Kjo qasje amerikane, sipas saj e fut Kosovën në një periudhë ku BE-ja paraqitet si e dobët dhe e pavendosur. Megjithatë, pavarësisht kritikave, Emini thekson se BE-ja ka kontribuar shumë në demokratizimin e vendit.
“Në anën tjetër, një fazë kur BE dhe SHBA jo që nuk janë në frekuenca të njëjta, por edhe janë duke u përplasur me njëra-tjetrën, nuk është lajm i mirë as për Kosovën e as për rajonin” – shtoi ajo.
Në vlerësimin e saj më të gjerë, Emini thekson se Strategjia e Sigurisë Kombëtare përmban një kritikë të drejtpërdrejtë dhe mjaft agresive ndaj Bashkimit Europian, e cila nuk është e re, por reflekton vizionin e Zëvendëspresidentit amerikan James Vance, të artikuluar edhe në Konferencën e Mynihut: “idenë se Europa ka probleme themelore, se BE është shumë e rregulluar, shumë burokratike, dhe se po e kufizon lirinë politike dhe të shprehjes.”
Ajo shton se këto kritika nuk synojnë ta ndihmojnë BE-në, por të justifikojnë një ndërhyrje më të drejtpërdrejtë të SHBA-së në kontinent – kësaj radhe nga një aktor që nuk synon forcimin e BE-së, por të kundërtën, dobësimin ose anashkalimin e saj.
“Kjo shihet edhe nga fakti që shumica e angazhimeve të administratës Trump janë dypalëshe me shtetet anëtare, duke anashkaluar qëllimisht Brukselin. Me pak fjalë, po përdoret një qasje “përçajë dhe sundo” duke dërguar mesazhin që kjo strukturë jo që nuk ka rëndësi por ngadalë po e mbytë gjithë Europën” – vlerëson ajo.
BE-së “i dhemb”
Zyrtarët e Bashkimit Europian nuk e kanë pritur mirë qasjen e SHBA-së ndaj Europës, duke e interpretuar madje si një “përzierje” në politikën e tyre të brendshme.
Sipas Donika Eminit, ky dokument vetëm sa amplifikon sfidat që BE-ja tashmë po i përjeton: polarizimin e brendshëm, ngadalësinë institucionale dhe mungesën e një drejtimi të qartë politik.
Problemi, sipas saj, qëndron te fakti se vetë shtetet anëtare nuk po lëvizin me ritmin që kërkojnë këto sfida për ta mbajtur “të gjallë” unionin.
“Pra BE-ja paraqitet si një projekt në krizë të thellë, dhe sipas këtij dokumenti, kontinenti “nuk do të njihet për 20 vjet”- shtoi ajo.
Sa i përket lirisë së shprehjes, Emini vlerëson se në këtë strategji reflektohet qasja ideologjike e administratës Trump, e cila në SHBA ka hequr kufizime, ka përkrahur figura të ekstremit të djathtë dhe e paraqet çdo mbrojtje të vlerave demokratike si kufizim të lirisë së tyre.
“Kjo logjikë tash po projektohet edhe në Europë, duke e paraqitur BE-në por edhe vendet anëtare si akterë që po bën censorim të qëllimshëm kundër oponentëve politik. Këtu është shembulli për AfD në Gjermani dhe Marie Le Pen, dënimi dhe mbajtja jashtë garës për ta u konsiderua si e padrejtë nga Trump dhe Musk”- shprehet ajo.
Pas publikimit të kësaj strategjie, presidenti i Këshillit Europian Antonio Costa deklaroi se SHBA mbetet një partnere transatlantike por nënvzion se SHBA nuk mund të vendosë në vend të qytetareve dhe qytetarëve europianë, se cilat parti janë të duhurat dhe cilat janë të gabuarat.
“Ajo që nuk mund të pranojmë është kërcënimi për ndërhyrje në jetën politike të Europës. SHBA-ja nuk mund të zëvendësojë qytetarët europianë në marrjen e vendimit se cilat janë partitë e duhura e cilat janë të gabuara”- tha Costa.
Ai tha se SHBA-ja nuk mund të zëvendësojë Europën dhe vizionin e saj për lirinë e shprehjes duke theksuar se “historia jonë na ka mësuar se nuk ka liri të shprehjes pa liri të informacionit”.
Presidenti kritikoi edhe ndikimin e disa kompanive amerikane të teknologjisë, duke thënë se “nuk mund të ketë liri të shprehjes nëse liria e informacionit e qytetarëve sakrifikohet për të mbrojtur oligarkët amerikanë të teknologjisë”.
Costa, që është përgjegjës për arritjen e kompromisit mes udhëheqësve të BE-së, por edhe për raportet e bllokut me udhëheqësit ndërkombëtarë, u bëri thirrje evropianëve që të vazhdojnë përpjekjet për riarmatosje.
Në anën tjetër, Shefja e BE-së për Politikën e Jashtme Kaja Kallas tha më 06.12.2025 se: “Disa gjëra edhe janë të vërteta” dhe se “Europa faktikisht po e nënvlerëson fuqinë e saj.
Në anën tjetër, zëdhënësja e Komisionit të BE për politikën e sigurisë, Anitta Hipper, në një konferencë shtypi më 08.12.2025 theksoi se vendimet që kanë të bëjnë me Bashkimin Europian, do të merren nga Bashkimi Europian për Bashkimin Europian, “duke përfshirë edhe ato vendime, që kanë të bëjnë me autonominë tonë rregullative dhe mbrojtjen e lirisë së mendimit.”
SHBA me kunja ndaj BE-së
Presidenti amerikan Donald Trump në fokus të Strategjisë amerikane të publikuar në nëntor 2025, ka vënë identitetin kombëtar duke potencuar se politika e jashtme e tij është pragmatike pa qenë “pragmatike” në kuptimin doktrinar, realiste pa qenë “realiste,” parimore pa qenë “idealiste,” e fuqishme pa qenë “luftënxitëse,” dhe e përmbajtur pa qenë “paqësore.”
Në dokument thuhet se zyrtarët amerikanë janë mësuar të mendojnë për problemet europiane në terma të mungesës së shpenzimeve ushtarake dhe stagnimit ekonomik, dhe se edhe pse ka të vërtetë në këtë, nënvizohon se problemet e vërteta të Europës janë edhe më të thella.
“Europa kontinentale ka humbur pjesën e saj në PBB globale — nga 25 % në vitin 1990 në 14 % sot — pjesërisht si rezultat i rregulloreve kombëtare dhe transnacionale që dobësojnë kreativitetin dhe punëtorinë”- shkruan në dokument.
Çështjet më të mëdha me të cilat përballet Europa, sipas SHBA-së, përfshijnë aktivitetet e Bashkimit Europian dhe trupave të tjerë transnacionalë që në vlerësimin e tyre “minojnë lirinë politike dhe sovranitetin, politikat e migracionit që po e transformojnë kontinentin dhe po krijojnë përplasje, censurimin e fjalës së lirë dhe shtypjen e opozitës politike, rënien e lindshmërisë dhe humbjen e identiteteve kombëtare dhe vetëbesimit.”
Poashtu, është kritikuar BE-ja duke thënë se në planin afatgjatë, është më se e mundshme që brenda disa dekadave, në rastin më të vonë, disa anëtarë të NATO-s të bëhen me shumicë jo-europianë.
“Si të tillë, mbetet pyetje e hapur nëse ata do ta shohin vendin e tyre në botë, apo aleancën e tyre me Shtetet e Bashkuara, në të njëjtën mënyrë si ata që nënshkruan kartën e NATO-s”- shkruan në strategji.
Trump shpreh bindjen se duan t’ mbështesin aleatët e tyre në Europë, duke e pasur fjalën për shtetet, në ruajtjen e lirisë dhe sigurisë së Europës, duke rikthyer vetëbesimin civilizues të Europës dhe identitetin perëndimor.
Ndër të tjera, thuhet se SHBA do t’u kundërvihet kufizimeve të shtyra nga elitat, anti-demokratike, ndaj lirive thelbësore në Europë, në botën anglosaksone dhe në pjesën tjetër të botës demokratike, veçanërisht ndër aleatët e tyre.
“Ne i hedhim poshtë ideologjitë e dëmshme të ‘ndryshimeve klimatike’ dhe ‘Net Zero’ që kanë dëmtuar aq shumë Europën, kërcënojnë Shtetet e Bashkuara dhe subvencionojnë kundërshtarët tanë”- shkruan në strategji.
Duke u ndërlidhur me këtë, SHBA ka kritikuar se nëse trendet aktuale vazhdojnë, kontinenti i Europës do të jetë i panjohshëm brenda 20 viteve ose më pak.
Si i tillë, strategjia e Trumpit thotë se nuk është aspak e qartë nëse disa vende europiane do të kenë ekonomi dhe ushtri mjaft të forta për të mbetur aleatë të besueshëm.
“Shumë prej këtyre kombeve aktualisht po dyfishojnë rrugën e tyre të tanishme. Ne duam që Europa të mbetet europiane, të rimarrë vetëbesimin e saj civilizues dhe të braktisë fokusin e saj të dështuar te ngulfatja rregullatore”- nënvizohet në strategji.
Kjo mungesë vetëbesimi, siç e quan Trumpi, është më e dukshme në marrëdhënien e Europës me Rusinë, duke shtuar se aleatët europianë gëzojnë një avantazh të rëndësishëm të fuqisë së fortë kundrejt Rusisë sipas pothuajse çdo mase, përveç armëve bërthamore.
Në perspektivën amerikane, si rezultat i luftës së Rusisë në Ukrainë, marrëdhëniet europiane me Rusinë tani janë tepër të dobësuara dhe shumë europianë e shohin Rusinë si kërcënim ekzistencial.
Sipas tyre, menaxhimi i marrëdhënieve europiane me Rusinë do të kërkojë angazhim diplomatik të konsiderueshëm amerikan, si për të rivendosur kushtet e stabilitetit strategjik në të gjithë masën tokësore euroaziatike, ashtu edhe për të zbutur rrezikun e konfliktit mes Rusisë dhe shteteve evropiane.
Në vlerësimin e tyre, lufta në Ukrainë ka pasur efekt të kundërt duke rritur varësitë e jashtme të Europës, veçanërisht të Gjermanisë, duke potencuar se sot, kompanitë kimike gjermane po ndërtojnë disa nga impiantet më të mëdha të përpunimit në botë në Kinë, duke përdorur gaz rus që nuk mund ta sigurojnë në shtëpi.
Si rrjedhojë, thuhet se Administrata Trump e gjen veten në kundërshtim me zyrtarët europianë që sipas tyre mbajnë pritshmëri joreale për luftën, të mbajtur në pushtet nga qeveri të paqëndrueshme të pakicës, shumë prej të cilave shkelin parimet bazë të demokracisë për të shtypur opozitën.
Botëkuptimi i Trumpit është që një shumicë e madhe europiane dëshiron paqe, por kjo dëshirë nuk përkthehet në politikë, kryesisht për shkak të nënshtrimit të proceseve demokratike nga ato qeveri.
“Kjo është me rëndësi strategjike për Shtetet e Bashkuara pikërisht sepse shtetet europiane nuk mund të reformojnë veten nëse mbeten të bllokuara në krizë politike”- potencohet në dokument.
Megjithatë, diku në dokument jepet edhe një afirmim se Europa mbetet strategjikisht dhe kulturalisht vitale për Shtetet e Bashkuara, duke potencuar se tregtia transatlantike mbetet një nga shtyllat e ekonomisë globale dhe të prosperitetit amerikan.
Për Amerikën, sektorët europianë, nga prodhimi te teknologjia e energjia, mbeten ndër më të fortët në botë.
“Europa është shtëpia e kërkimeve shkencore të avancuara dhe institucioneve kulturore udhëheqëse botërore. Nuk mund ta përballojmë ta heqim Europën nga llogaritjet — një veprim i tillë do të ishte vetëshkatërrues ndaj asaj që kjo strategji synon të arrijë”- vihet si përfundim.
Vizioni amerikan thotë se diplomacia e tyre duhet të vazhdojë të mbrojë demokracinë e vërtetë, lirinë e shprehjes dhe festimet pa komplekse të karakterit dhe historisë së kombeve evropiane.
Fuqia botërore, inkurajon aleatët e saj politikë në Europë “të promovojnë këtë ringjallje të shpirtit”, dhe ndikimi në rritje i partive patriotike europiane jep arsye për shumë optimizëm.
“Qëllimi ynë duhet të jetë të ndihmojmë Europën të korrigjojë drejtimin e tanishëm”- shkruan në dokument, duke shtuar se Amerika ka nevojë për një Europë të fortë për t’i ndihmuar të konkurrojë me sukses dhe për të punuar në harmoni me ne për të parandaluar çdo kundërshtar nga dominimi i Europës.
Amerika vlerëson se me të drejtë, e lidhur emocionalisht me kontinentin europian — dhe, sigurisht, me Britaninë dhe Irlandën.
“Karakteri i këtyre vendeve është gjithashtu i rëndësishëm strategjikisht sepse ne mbështetemi te aleatë kreativë, të aftë, të sigurt dhe demokratikë për të vendosur kushte stabiliteti dhe sigurie. Ne duam të punojmë me vende të përafruara që duan të rikthejnë madhështinë e tyre të dikurshme”- thotë dokumenti.
Politika e SHBA-së për Europën, sipas strategjisë, duhet të prioritetizojë: rivendosjen e kushteve të stabilitetit brenda Europës dhe stabilitetit strategjik me Rusinë; mundësimin që Europa të qëndrojë në këmbët e veta dhe të funksionojë si një grup kombesh sovrane të përafruara, përfshirë duke marrë përgjegjësinë kryesore për mbrojtjen e saj, pa u dominuar nga ndonjë fuqi kundërshtare.
Pika të tjera prioritare sipas Amerikës janë kultivimi i rezistencës ndaj trajektores aktuale të Europës brenda kombeve europiane; hapjen e tregjeve europiane për mallrat dhe shërbimet amerikane dhe sigurimin e trajtimit të drejtë të punëtorëve dhe bizneseve amerikane; ndërtimin e kombeve të shëndetshme të Europës Qendrore, Lindore dhe Jugore përmes lidhjeve tregtare, shitjeve të armëve, bashkëpunimit politik dhe shkëmbimeve kulturore e arsimore; fundin e perceptimit dhe parandalimin e realitetit të NATO-s si një aleancë që zgjerohet përgjithmonë.
Për fund, Amerika ka kërkuar inkurajimin e Europës të ndërmarrë veprime për të luftuar kapacitetet e tepruara merkantiliste, vjedhjen teknologjike, spiunazhin kibernetik dhe praktika të tjera armiqësore ekonomike.