Prodhimi i Energjise me Erë ne Kamenice/ Foto: Denis Sllovinja
Ekspertët kritikojnë Qeverinë për mënyrën e planifikimit të investimeve në energjinë e ripërtërishme
120 milionë euro pritet të kushtojë rindërtimi i një njësie të termocentralit ‘Kosova A’. Qeveria e Kosovës planifikon që përmes Strategjisë për Energji të rivitalizojë dy njësi të këtij termocentali deri në vitin 2031, duke kaluar shifrën mbi 200 milionë euro të investimeve.
Ndërsa, kapacitetet e prodhimit nga burime të ripërtërishme në Kosovë aktualisht janë 244 megavatë. Me Draft-Strategjinë e Energjisë parashihet që këto kapacitete të arrijnë në 490 megavatë në vitin 2024 dhe deri në 1,300 megavatë në vitin 2031.
Ekspertët e energjisë të ftuar në emisionin “Kallxo Përnime” po kritikojnë Qeverinë e Kosovës si hartuese e kësaj draft-strategjie për mosplanifikim të duhur për sektorin e energjisë nga burimet e ripërtërishme.
Kjo pasi sipas tyre duhet një kosto shumë e lartë për ndërtimin e rrjetit të energjisë nga këto burime të ripërtërishme e cila nuk gjendet në këtë draft- strategji.
“90 milionë euro të parashikuara në draft-strategji për ndërtimin e rrjetit për energjinë nga burimet e ripërtërishme është e pamjaftueshme. Një shumë e tillë nuk mund të mbuloj koston as prej Prishtinës në Prizren”, thotë Kristian Sevdari, inxhinier i energjetikës dhe doktorant për energji të renovueshme dhe mobilitet elektrik në Universitetin Teknik të Danimarkës.
Ndërsa Fitim Kryeziu, inxhinier i tensionit të lartë si dhe menaxher i teknikës në rrjetin shpërndarës në Danimarkë, e quan padituri parashikimin e shumës në draft strategji për ndërtimin e rrjetit të energjisë nga burimet e ripërtërishme.
“Këtu ka luajtur rol padituria. Këto sende janë bazike, duhet të dihet që të investosh në BRE kushton miliona, miliona euro. Është dhjetëra herë më shumë e kushtueshme infrastruktura për furnizim me energji nga BRE. Kjo tregon që nuk janë dëgjuar ata që është dashur të dëgjohen”, tha ai.