Foto: Ministria e Ekonomisë

Ministria e Ekonomisë u përgjigjet kritikave të ekspertit për Strategjinë e Energjisë

Admir Shala, ekspert për energji termike që ka udhëhequr me Ngrohtoren e Gjakovës dhe Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë deri në prill 2022, ka kritikuar Qeverinë sa i përket planit për Strategjinë e Energjisë 2022-2031.

Në emisionin “Kallxo Përnime”, Shala bëri të ditur se edhe pse ka marrë pjesë në grupe punuese për Strategjinë e Energjisë, ku edhe ka dhënë propozime, thuajse të gjitha janë larguar kur është publikuar plani.

“Vitin e kaluar më ka ardhur një kërkesë të emëroj dikë për këtë Strategji të Energjisë, e kam emëruar një koleg por edhe vetë kam shkuar në shumë takime dhe kam qenë pjesë e grupit punues për efiçiencë të energjisë, kam dërguar propozime ku fokus ka qenë energjia elektrike, mikrogjenerimi. Kur ka dalë Strategjia e kam parë se i kanë hequr thuajse të gjitha. Kam dëgjuar se e kanë marrë një konsulent të huaj”- shtoi tutje Shala.

KALLXO.com ka kontaktuar Ministrinë e Ekonomisë, e cila ka thënë se hartimi i Strategjisë është bërë në bashkëpunim e koordinim të plotë me të gjitha institucionet relevante, si dhe ekspertët e angazhuar në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë, Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, KOSTT, KEDS, MBPZHR, MINT dhe MMPHI. Të gjithë këta ekspertë kanë qenë pjesë e grupit punues.

“Përtej grupit punues, Strategjia është hartuar me inpute dhe në bashkëpunim me të gjithë akterët relevantë të sektorit përfshirë këtu përfaqësues të organizatave ndërkombëtare të cilat veprojnë në Kosovë” – deklaroi Ministria.

“Pra, po flasim për dhjetëra ekspertë të përfshirë formalisht brenda grupit punues, ose që kanë dhënë inpute e komente përgjatë të gjithë procesit, duke përfshirë këtu Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë, Akademinë, OJQ-të, etj” – shtoi më tej Ministria e Ekonomisë.

Sipas Ministrisë, Stategjia e Energjisë paraqet objektivat afatgjata për zhvillim të sektorit të energjisë, derisa hapat konkretë, incentivat për vetëkonsum, projektet, si dhe masat specifike nuk janë qëllime strategjike, prandaj, ato përfshihen në Programin e Zbatimit të Strategjisë së Energjisë (PZSE) e jo në Strategji. Ky plan i veprimit, sipas tyre, është në hartim e sipër dhe do t’i nënshtrohet procesit të konsultimeve publike ashtu si Strategjia e Energjisë.  

Lidhur me faktin nëse do përfshihen komentet e palëve të ndryshme në këtë Strategji, Ministria theksoi se Strategjia është në fazë të finalizimit.

“Strategjia aktualisht është në fazë të finalizimit, gjë që është vështirësuar nga situata aktuale energjetike në Evropë, për t’u siguruar që përballja aktuale me krizën dhe mbrojtja e qytetarëve nga ndikimet negative të jetë efektive e në të njëjtën kohë në përputhje të plotë me objektivat tona afatgjata” – thuhet në reagimin e ME-së ndaj kritikave të Shalës.

Lidhur me kritikat që Strategjia e Energjisë nuk përfshin ndonjë plan për izolimin e shtëpive që do ta ulte shpenzimin e rrymës gjatë dimrit për qytetarë Ministria e Ekonomisë tha që Ministria e Infrastrukturës është në proces të hartimit të Planit Kombëtar për Energji dhe Klimë dhe planin për dekarbonizim.

“Në grupet punuese të Strategjisë janë përfshirë edhe përfaqësuesit e Ministrisë përkatëse për ndërtim (MMPHI), të cilët kanë dhënë kontributin e tyre qe është reflektuar ne draft Strategjinë e Energjisë. Për më shumë, MMPHI janë në proces të hartimit të NECP (National Energy and Climate Plan) si dhe planin e tyre të dekarbonizimit”- thuhet më tej nga Ministria.

 Tutje, nga Ministria potencuan se Strategjia vendos target tejet ambicioz për vetëkonsum, 50-fishim (nga 2 MW sa është baza) në 100 MW për vitin 2031. Për më shumë, Strategjia ka plan ambicioz edhe për efiçiencë të energjisë, prej 266 ktoe (kursim) – që do të thotë kursim prej  3 TWh. 

Eksperti Admir Shala në emisonin “Kallxo Përnime” ka ngritur pikëpyetje edhe sa i përket projektit 200-milionësh të MCC-së për investime në bateri, ku potencoi se kanë një afat të caktuar kohor prej 6-10 vite, derisa askush nga Qeveria nuk ka treguar koston e dekomisionimit të tyre.

“Ministres Rizvanolli shpresoj t’i kenë treguar që bateritë e kanë një afat kohor dhe pas disa viteve duhet të hiqen të gjitha, sa e kuptova 6-10 vite mund të qëndrojnë. Askush nuk ka treguar se sa kushton dekomisionimi i tyre”- ka thënë Shala.

Lidhur me bateritë, Ministria e Ekonomisë tha që duhet qartësuar se kapacitetet akumuluese janë teknologji që po zhvillohet dita-ditës.

“Bateritë e kanë jetëgjatësi rreth 25 vjet, megjithatë, duhet qartësuar se marrëveshje e lë të hapur mundësinë e përzgjedhjes së një teknologjie tjetër të akumulimit (jo domosdo bateri), e cila në kohën e implementimit mund të jetë më e përshtatshme apo më e avancuar, si dhe ekonomikisht fizibile” – shtoi Ministria e Ekonomisë.

Shala tutje kritikoi Qeverinë edhe sa i përket procedurave të shumta buroktatike që po shtyjnë investitorët e energjisë së ripërtëritshme të largohen nga Kosova.

Investitorë të ndryshëm, veçanërisht ata të solareve, si “Unisolar”, “Elen” por edhe 5 të tjerë që punojnë në industrinë e njëjtë, janë ankuar në emisionin “Kallxo Përnime” gjatë vitit 2022 se institucionet kosovare, duke përfshirë Ministrinë e Ekonomisë, ZRRE-në, KEDS & KESCO-n, dizajnojnë pengesa burokratike të qëllimshme për investitorë të solareve, pengesa të cilat këta investitorë nuk i kanë në Shqipëri e Maqedoni të Veriut.

Ministria e Ekonomisë, ZRRE, KEDS e KESCO nuk pajtohen me këto kritika të investitorëve dhe këto ankesa deri tash nuk janë adresuar nga asnjëri prej këtyre institucioneve.

Admir Shala foli edhe për vërejtjet që kishte pasur sa i përket implementimit të fondeve të Bankës Botërore për izolime të ndërtesave dhe inspektimeve të punimeve në terren.

Si shembull u mor puna e kryer jo mirë në kulmin e Spitalit të Gjinekologjisë.

“Ndërtesa e Gjinekologjisë është bërë me Bankën Botërore përmes KEREP, kam dëgjuar se ka mungu një pjesë e izolimit në kulm. Banka Botërore i ka mbyllur veshët për këtë”- tha ai.

Sipas Shalës, punimet me fonde të Bankës Botërore është dashur të mbikëqyren nga kompani e kontraktuar prej Kosovës.

Shala tha se lidhur me mosndërhyrjet nga ana e mbikëqyrësve e ka njoftuar edhe ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, por sipas tij, në vend se personit përgjegjës t’i kërkohej llogari, e ngritën në detyrë.

“Ministres Rizvanolli -Berisha i kam treguar, shumë mirë e di ajo. I raportova të gjitha në Qeveri dhe në vend se kryesuesin ta merrnin në përgjegjësi pse nuk ka raportuar për moskryerje të punëve, e ngritën në detyrë, e bënë koordinator kombëtar në MCC”- shtoi më tej Admir Shala.

“KALLXO.com” ka kontaktuar Bankën Botërore, e cila ka thënë se ata i financojnë projektet për efiçiencë përmes një kredie të butë që i është dhënë Qeverisë së Kosovës.

Sipas tyre, këto projekte zbatohen përmes Agjencisë së Kosovës për Efiçiencë të Energjisë dhe Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, të cilët janë përgjegjës për t’i mbikëqyrur të gjitha punët dhe veprimet që kryhen me këtë kredi.

Sa i përket subvencionimit të efiçiencës së energjisë, Ministria ka përmendur thirrjen e hapur për subvencionim të pajisjeve për ngrohje.

“Një ndër hapat e marra në këtë drejtim është pikërisht subvencioni i efiçiencës së energjisë për qytetarët përmes pajisjeve efiçiente për ngrohje si pompat termike, klimat efiçiente, kalldajat me biomasë dhe stufat individuale me biomasë. Për dizajnimin e kësaj skeme të subvencionimit që ka për qëllim uljen e menjëhershme të kërkesës për energji elektrike gjatë periudhës së dimrit, jemi koordinuar dhe konsultuar me ekspertë të fushës nga MMPHI, GIZ dhe MFK” – është theksuar nga Ministria.