Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Abazi i LVV-së del kundër Strategjisë së Energjisë, thotë se duhet të rikthehet në pikën zero

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, në cilësinë kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme ka mbajtur një konferencë për media ku ka thënë se Strategjia e Energjisë, e cila ishte prezantuar nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, duhet të kthehet në pikën zero.

“Duhet të fokusohemi që kjo strategji të rikthehet në pikën 0 për të qenë në linjë me zhvillimet dhe trendet e Unionit Evropian, përkatësisht me agjendën e gjelbër” – ka thënë Abazi.

Sipas deputetit të LVV-së, Strategjia është në kundërshtim me trendet dhe agjendën e gjelbër të Bashkimit Evropian.

Kjo sipas tij është pasi kryefjala e kësaj draft-strategjie është tek ndërtimi i kapaciteteve të reja të energjisë, që bie në kundërshtim me trendet dhe agjendën e gjelbër të Bashkimit Evropian.

Madje Abazi tha se një draft-strategji e tillë nuk mund as të ofrojë zgjidhje.

“Fakti që edhe ky draft-strategji që është diskutuar në publik e ka kryefjalën, fokusin tek ndërtimi i kapaciteteve të reja të energjisë prej qymyrit e bënë strategjinë në kundërshtim me trendët dhe agjendën e gjelbër të Unionit Evropian dhe nuk ofron asnjë zgjidhje” – u shpreh ai.

Tutje ai tha se mendon që është momenti të tejkalohet problematika 20-vjeçare dhe të dështimit në sektorin e energjisë dhe që të fokusohen në të tashmen dhe të ardhmen.

Madje, sipas Abazit, kjo draft-strategji është në kundërshtim edhe më interesin e ndërmarrjeve prodhuese.

“Draft-strategjia që kemi ne sot është në kundërshtim edhe më interesin e ndërmarrjeve prodhuese” – u shpreh ai.

Abazi tregoi se ka vendosur që të premteve në ora 10:00 të mbajë konferenca për shtyp, sipas tij me qëllim për t’i ndihmuar jetës parlamentare.

“Do të ishte e pafalshme që në fund të mandatit të arsyetojmë mungesën e komunikimit me qytetarët dhe me mediat” – tha deputeti i LVV-së.

Abazi tregoi që ka kërkuar që në seancat parlamentare, debati të bëhet për çështje përmbajtësore dhe jo përplasje individuale.

Ministria e Ekonomisë në fillim të qershorit ka publikuar draftin e parë të Strategjisë për Energji 2022-2031.