Pse nuk u ftuan nga Qeveria e Kosovës ekspertët e energjisë që ofruan ndihmë pa kompensim?

Adhurim Haxhimusa, Fitim Kryeziu, Alban Kuriqi dhe Kristjon Sevdari janë të ftuar sonte në emisionin ‘Kallxo Përnime’, të gjithë si ekspertë të fushës së energjisë.

Ata në janar të këtij viti ishin takuar me kryeministrin Albin Kurti dhe ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, për të ofruar ndihmën e tyre në fushën e energjisë dhe për hartimin e strategjisë së energjisë.

Por ky grup i ekspertëve nuk ishte kontaktuar më kurrë nga Qeveria.

Adhurim Haxhimusa është ekonomist i energjisë dhe profesor në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Grizon të Zvicrës.

“Unë jam ekonomist i energjisë, kryesisht në fushën e evoluimit të politikave të energjisë, si për shembull tash integrimi i burimeve të ripërtërishme në fushën e energjisë, të gjitha këto i paraqes me metoda statistikore”, tha ai.

Fitim Kryeziu është inxhinier i tensionit të lartë si dhe menaxher i teknikës në rrjetin shpërndarës në Danimarkë.

“Që 23 vite jetoj dhe punoj në Danimarkë, aty i kam përfunduar edhe studimet. Unë punoj për rrjetin shpërndarës të Danimarkës, që është si KOSTT-i në Kosovë. Unë kam qenë edhe ideator i ishullit të energjisë në Danimarkë. Ky është projekti më i shtrenjtë në të cilin ka investuar Danimarka, me një kosto 30 miliardë euro. Në këtë projekt roli im ka qenë që të caktoj se çfarë teknike duhet të kyçet në projekt”, tha Kryeziu.

Alban Kuriqi është inxhinier dhe hulumtues shkencor në Universitetin e Lisbonës në fushën e energjisë ujore dhe të burimeve të ripërtërishme.

Ndërsa Kristjon Sevdari është inxhiner i energjetikës dhe doktorant për energji të renovueshme dhe mobilitet elektrik në Universitetin Teknik të Danimarkës.

Ky grup i ekspertëve ishin takuar me kryeministrin Albin Kurti dhe ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, gjatë krizës energjetike në Kosovë fillimisht për të ofruar ndihmë për këtë situatë.

Por të njëjtit kishin shprehur gatishmërinë që të ndihmojnë shtetin edhe në hartimin e strategjisë për energjinë për 10 vjeçarin e ardhshëm.

Pas përfundimit të atij takimi, katër ekspertët nuk ishin kontaktuar më nga Qeveria e Kosovës.

“Pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë, ne si grup i Komitetit Organizativ të një konferencë shkencore biseduam që të tentojmë të ndihmojnë shtetit nga ekspertizat tona. Andaj, i shkruajmë një e-mail Qeverisë dhe morëm një përgjigje të shpejtë dhe organizuam takimin. Me thënë të drejtën takimi ishte shumë i mirë dhe kryesisht tema ka qenë strategjia e energjisë ku ne mundemi me ofru ndihmë pa asnjë kompensim monetar, por fatkeqësisht që nga ajo kohë ne më nuk jemi kontaktu nga Qeveria”, tha Adhurim Haxhimusa në emisionin ‘Kallxo Përnime’.

Ministria e Ekonomisë në fillim të qershorit ka publikuar draftin e parë të strategjisë për energji 2022-2031.

Pavarësisht se nuk ishin kontaktuar nga Qeveria, ekspertët kishin dërguar rreth 10 faqe komentesh për strategjinë për energji.

KALLXO.com i ka dërguar pyetje Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Ekonomisë rreth arsyes së moskontaktimit të këtij grupi të ekspertëve por që deri në publikimin e këtij artikulli dhe transmetimit të emisionit nuk ka pranuar përgjigje.

A është strategjia e re zgjidhje për krizën energjetike?