Foto: Denis Sllovinja / Termocentral , Obiliq , Kek

Sa rrymë do të prodhohej pas rindërtimit të blloqeve të TC "Kosova A"?

Strategjia për Energji e Qeverisë së Kosovës parasheh edhe rindërtimin e blloqeve të termocentralit “Kosova A”.

Ndonëse ende nuk dihet numri i saktë se sa nga pesë blloqet e këtij termocentrali do të rindërtohen, kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, në emisionin “Kallxo Përnime” i ka dhënë disa opsione.

Ai nga lista për rindërtim ka hequr bllokun A1 dhe A2 dhe ka thënë se ideja e rindërtimit qëndron te tri blloqet tjera, A3, A4 dhe A5.

Krasniqi ka bërë të ditur se në Strategjinë për Energji nuk është paraparë që të rindërtohen që të tri blloqet e lartcekura.

Sipas tij, është e paraparë që minimalisht të rindërtohet njëri nga blloqet, por që ka gjasa që të rindërtohet edhe blloku i dytë.

Kryeshefi i KEK-ut ka treguar se me rindërtimin e një blloku, cilitdo nga ai A3, A4 dhe A5, do të prodhohet 70 apo 80 megavatë më shumë energji elektrike netto.

Krasniqi shpjegoi që sot një bllok i termocentralit “Kosova A” prodhon 130 megavatë energji elektrike netto, ndërsa nëse ndodh rindërtimi i tij, nga po i njëjti bllok mund të prodhohen 200 deri në 210 megavatë rrymë.

“Një bllok i A-së prodhon diku rreth 130 megavatë energji elektrike netto, pra jashtë konsumit vetanak dhe nëse do të bëhej rindërtimi i tyre pritet që këto të kthehen në kapacitetet origjinale që i kanë pasur, në 200 apo 210 megavatë për një bllok” – tha Krasniqi.

Pra, sipas tij, nëse nga Strategjia për Energji arrihet që të rindërtohen dy blloqe të A-së, Kosova do t’i prodhojë diku 410 megavatë rrymë.

Po ashtu, Krasniqi ka treguar se përpos rindërtimit të këtyre blloqeve, pritet që të modernizohen edhe ato të termocentralit “Kosova B”, të cilat më pas pritet të prodhojnë nga 340 megavatë rrymë veçmas.

“Edhe blloqet e B-së që pritet të modernizohen, e ato pritet që po ashtu të rikthehen në kapacitetin origjinal që i bie dikund rreth 340 megavatë atëhëherë do t’i kemi 680 nga B-ja dhe 410 nga A-të” – tha kryeshefi i KEK-ut në emisionin “Kallxo Përnime”.

Për t’u bërë rindërtimi i një blloku të termocentralit “Kosova A”, Krasniqi ka thënë se duhen mesatarisht dy vite.