Haxhimusa: Kosova po e përmend integrimin e baterive në sektorin e energjisë sikur të ishte pioniere në këtë sektor

Në draft-strategjinë për energji 2022-2031 thuhet se Kosova do të instalojë së paku 170MW të kapacitetit për akumulimin e energjisë përmes baterive në sistemin e saj energjetik deri në vitin 2031, ndërsa kosto e parashikuar për këtë është shuma 200 milionë euro.

“Investimi në akumulimin e energjisë jo vetëm që do të ndihmojë në përmirësimin e fleksibilitetit të sistemit dhe integrimin e burimeve të ripërtëritshme variabile, por gjithashtu do të jetë i nevojshëm për të përmbushur kërkesat e ENTSO-E për rezervë të energjisë, dhe në një masë do të ndihmojë në uljen e importit të energjisë elektrike. Teknologjitë e tjera inovative, përfshirë ruajtjen sezonale do të eksplorohen dhe mund të instalohen deri në vitin 2031, varësisht prej levërdisë së tyre ekonomike”, thuhet në këtë stratëgji.

Kosto e parashikuar për këto bateri që është rreth 200 milionë euro po shihet si minimale për një investim të tillë.

Kristian Sevdari, inxhinier i energjetikës dhe doktorant për energji të renovueshme dhe mobilitet elektrik në Universitetin Teknik të Danimarkës, tha se për një projekt të tillë duhet të parashikohen shifra më të larta.

“Janë parashikuar rreth 200 milionë euro për investime në bateri, që në fakt janë grante publike… duhet më shumë sesa kaq, Kosova duhet të ketë parasysh humbjet në sistem që i raportojnë vetë, që janë diku rreth 18% e që krahasuar me Shqipërinë, në Kosovë duhet shifra miliarda euro më shumë se ajo që thotë Qeveria”, thotë ai.

Ndërsa, Adhurim Haxhimusa, ekonomist i energjisë dhe profesor në Universitetin e Shkencave të Aplikuar në Grizon të Zvicrës, tha se Kosova duhet të ketë parasysh burimet njerëzore gjatë planifikimit të projektit të baterive.

“Integrimi i baterive nga Kosova përmendet si me qenë një vend pionier, e ne nuk kemi para. Ti po e merr një bateri por e ke një Universitet të Prishtinës që e injoron dhe tani kush don ty me t’i instalu ato bateri. Kosova duhet të ketë parasysh burimet njerëzore. Në draft-strategjinë, Qeveria e ka gjetur problemin por nuk këqyr si ta zgjidhë atë problem”, tha ai.

Ndërkaq, Alban Kuriqi, inxhinier dhe hulumtues shkencor në Universitetin e Lisbonës në fushën e energjisë ujore dhe të burimeve të ripërtërishme, ka shpjeguar gjatë emisionit se çfarë janë hidrocentralet reverzibile.

“Hidrocentralet reverzibile kanë dy rezervuarë, një lart dhe një poshtë. Ata pompohen nga energjia e tepërt që u vjen, nga poshtë-lart. Ata mund të ndërtohen edhe afër një lumi por edhe afër një liqeni. Normal nuk ka energji pa kosto. Nëse ndërtohet afër një lumi ka një impakt në florë dhe faunë, si dhe luan rol në prurjen e lumit ndërsa ka një impakt më të vogël nëse ndërtohet afër një liqeni, por nuk është zero”, tha ai.