“Ekspertët e korrupsionit”
Kontrata publike, lidhje biznesore dhe ekspertiza që rrëzoi aktakuzën për korrupsion ndaj pesë zyrtarëve të Komunës së Vitisë.
Në tetor të vitit 2021, Prokuroria Themelore në Gjilan kishte ngritur një aktakuzë për pesë zyrtarë publikë të Komunës së Vitisë. Shefi i prokurimit në këtë komunë, Fadil Abazi dhe katër zyrtarë të tjerë komunalë, Florim Ramaj, Rafiz Shabiu, Shaip Korrani dhe Selim Sejdiu, dyshoheshin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Në një aktakuzë prej 13 faqesh, prokurori i rastit, Isuf Sadiku, kishte radhitur arsyet të cilat çuan në paraburgim të dy prej zyrtarëve për 51 ditë. Gjatë hartimit të aktakuzës, prokurori Isufi kishte angazhuar edhe një ekspert gjeodet për matjet e rrugëve, për të cilat dyshohej që zyrtarët publikë të komunës kishin keqpërdorur detyrën zyrtare. Kompania që realizoi punët në rrugët për të cilat dyshoheshin zyrtarët publikë ishte “Pro&Co Group”.
Procesi gjyqësor për rastin e korrupsionit zgjati rreth katër vite dhe në fund pesë zyrtarët komunalë të Vitisë ishin shpallur të pafajshëm në shkallën e parë. Kryetar i trupit gjykues në këtë rast ishte Sabedin Mushica, gjyqtar në Gjykatën e Gjilanit.
Hulumtimi i “KallxoPërnime” zbuloi se një ekspertizë, të cilën e kishte kërkuar avokati i njërit prej të akuzuarve në rast, ndikoi që zyrtarët komunalë të Vitisë të shpalleshin të pafajshëm.
Ekspertët e rastit
Më 25.08.2021, prokurori Isuf Sadiku përmes një aktvendimi kishte vendosur për angazhimin e ekspertit të gjeodezisë, Fahri Shaqiri. Eksperti i angazhuar nga prokurori i rastit kishte për detyrë të bëjë matje dhe të vërtetojë nëse disa rrugë të komunës së Vitisë ishin shtruar sipas tenderëve apo kishte keqpërdorim të detyrës zyrtare nga zyrtarët publikë.
Më 17.09.2021, eksperti gjeodet, Fahri Shaqiri, me një raport prej 16 faqesh kishte konstatuar që në tenderët komunalë kishte parregullsi në shtrimin e rrugëve me asfalt dhe zhavorr.
Mbi bazën e gjetjeve të ekspertit gjeodet, prokurori i rastit kishte ngritur edhe aktakuzën për korrupsion ndaj pesë zyrtarëve të Komunës së Vitisë.
Gjatë procesit gjyqësor, me ekspertizën e Fahri Shaqirit nuk ishte pajtuar mbrojtja e të akuzuarve. Në prill të vitit 2023, Sevdali Robelli, avokati i të akuzuarit Florim Ramaj, kishte kërkuar një ekspertizë të re. Me propozimin ishin pajtuar edhe avokatët e tjerë të të akuzuarve, ndërsa atë e kishte miratuar edhe Gjykata Themelore në Gjilan.
“Në këtë çështje penale, ka qenë i angazhuar një ekspert – gjeodet, por në shqyrtimin gjyqësor me datë 06.04.2023, mbrojtësi i të akuzuarit Florim Ramaj i ka propozuar gjykatës të urdhërojë Fakultetin e Ndërtimtarisë nxjerrjen e një ekspertize gjeodezike. Trupi gjykues ka aprovuar propozimin e mbrojtësve të akuzuar që të bëhen ekspertizat gjeodezike dhe ajo e ndërtimtarisë, ashtu që gjykata me urdhër të veçantë do t’i drejtohet Fakultetit të Ndërtimtarisë” – konfirmoi për “KallxoPërnime” zëdhënësi i Gjykatës së Gjilanit, Sabit Shkodra.
Më 26.05.2023, dekani i Fakultetit të Ndërtimtarisë në Universitetin e Prishtinës, Florim Grajçevci, kishte nxjerrë një vendim me të cilin kishte emëruar dy ekspertë, Esat Gashin dhe Fisnik Loshin.
Ekspertiza e Gashit, Loshit dhe një eksperti tjetër financiar ishin vendimtare në rastin ku gjykoheshin pesë zyrtarët komunalë të Vitisë. Ekspertiza e re në Gjykatën Themelore të Gjilanit konstatonte që zyrtarët komunalë, shefi i prokurimit Fadil Abazi dhe katër zyrtarë të tjerë, Florim Ramaj, Rafiz Shabiu, Shaip Korrani dhe Selim Sejdiu, nuk i kishin shkaktuar dëm buxhetit të Komunës së Vitisë.
Duke u bazuar në ekspertizën e re, trupi gjykues i Gjykatës Themelore në Gjilan, i përbërë nga gjyqtarët Sabedin Mushica, kryetar, dhe anëtarët Islam Thaçi dhe Behar Ymeri, vendosi që të lirojë nga akuza për korrupsion pesë zyrtarët e Komunës së Vitisë.
Në një aktgjykim prej 23 faqesh, gjykata refuzoi edhe ekspertizën e Fahri Shaqirit, ekspert i angazhuar nga Prokuroria Themelore në Gjilan.
“Sa i përket ekspertizës gjeodezike të përpiluar nga Fahri Shaqiri, i cili e ka bërë matjen në katër rrugët në Komunën e Vitisë edhe atë S=3955 m² asfalt, gjatë ekspertizës gjeodezike ka konstatuar që për këto katër rrugë janë shtuar S=3570.84 m² asfalt (gjendja ekzistuese e rrugëve) dhe diferenca mes sipërfaqes së kontraktuar të asfaltit dhe asaj të ekzekutuar e shprehur në m² është D=384.16 m² më pak të asfaltuara, e cila ekspertizë është në kundërshtim me ekspertizën dhe deklarimin e ekspertit gjeodet F. L.” – thuhet në aktgjykim.
“KallxoPërnime” ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Gjilan qasje në dosjen e plotë të rastit, por përmes një vendimi Zyra për Informim ka njoftuar se kërkesa për qasje në dokumente publike është refuzuar nën arsyetimin se lënda tani është duke u trajtuar në shkallën e dytë, në Gjykatën e Apelit.
Lidhjet e Fisnik Loshit me të akuzuarin dhe kompaninë
Hulumtimi disamujor i “KallxoPërnime” zbuloi se eksperti gjeodet, Fisnik Loshi, ka një kompani private me emrin “NEWS Sh.P.K.”. Gjetjet tregojnë që kompania e tij ka nënshkruar kontrata me Komunën e Vitisë para se të jepte ekspertizën në rastin ku akuzoheshin zyrtarët komunalë, por edhe pasi kishte dhënë ekspertizën. Madje, kontratat ishin nënshkruar nga i akuzuari kryesor i rastit, Fadil Abazi, shef i prokurimit në Komunën e Vitisë.
Katër muaj para se të arrestohej për korrupsion, Fadil Abazi, shef i prokurimit në Komunën e Vitisë, kishte nënshkruar një kontratë për kompaninë “NEWS Sh.P.K.” me pronar Fisnik Loshin. Shuma e kontratës ishte 184 mijë euro dhe ishte nënshkruar më 24.03.2021.
Kjo nuk ishte kontrata e vetme që mori nga komuna eksperti i angazhuar për të bërë ekspertizën në rastin ku gjykoheshin pesë zyrtarë komunalë të Vitisë.
Në kohën kur po zhvillohej procesi gjyqësor, më 10.03.2023, Komuna e Vitisë dha një kontratë të re për grupin e operatorëve ekonomikë “Geo-Map” dhe “NEWS Sh.P.K.”. Vlera e kontratës ishte 360 mijë euro.
Hulumtimi i “KallxoPërnime” zbuloi se pronar i kompanisë “Geo-Map” është Florent Emini, bashkëshort i Armenda Beqirajt. Kjo e fundit, sipas të dhënave të Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve (ARBK), është pronare e kompanisë “Pro&Co Group”, kompani e cila kishte implementuar projektin e shtrimit të rrugëve për të cilat dyshoheshin për korrupsion pesë zyrtarët e Komunës së Vitisë, Fadil Abazi, Florim Ramaj, Rafiz Shabiu, Shaip Korrani dhe Selim Sejdiu.
Hulumtimi zbuloi se Fisnik Loshi dhe kompania e tij, “NEWS Sh.P.K.”, kanë bashkëpunuar në të kaluarën me kompaninë e cila shtroi rrugët në Viti, “Pro&Co Group”. Një dokument i siguruar nga Komuna e Vitisë dëshmonte që gjatë vitit 2022, “NEWS Sh.P.K.” kishte kryer punë për kompaninë “Pro&Co Group”.

Më 25.03.2024, pesë zyrtarët publikë të Komunës së Vitisë ishin shpallur të pafajshëm nga Gjykata Themelore në Gjilan. Si provë e vlefshme për aktgjykimin lirues ishte edhe ekspertiza e Fisnik Loshit, pronar i kompanisë “NEWS Sh.P.K.”.
Hulumtimi i “KallxoPërnime” zbuloi tutje se shefi i prokurimit në Viti, Fadil Abazi, njëri nga të dyshuarit kryesorë për korrupsion në rastin e shtrimit të rrugëve, kishte nënshkruar një kontratë të re pasi u lirua nga akuzat. Nga kontrata e cila u nënshkrua më 31.07.2024, përfitoi edhe kompania e Fisnik Loshit, i cili përmes ekspertizës në gjykatë konstatoi që të akuzuarit nuk i kishin dëmtuar buxhetin komunal.
Dyshimet për konflikt të interesit të Fisnik Loshit nuk ka pranuar t’i komentojë gjyqtari Sabedin Mushica.
“Aktgjykimi, lënda është me ankesë në Gjykatën e Apelit, çka të kesh të lutem ju referohesh atje… Të lutem çka të kesh ju drejtohesh me shkrim, kalofshi mirë” – ka thënë përmes telefonit Mushica.
Në anën tjetër, Prokuroria Themelore në Gjilan ka konfirmuar se prokurori i rastit, Isuf Sadiku, nuk ishte në dijeni për angazhimin e ekspertëve në lëndën ku ai kishte ngritur aktakuzë. Po ashtu, nuk kishte informacione për konfliktin e mundshëm të interesit të Fisnik Loshit.
“Prokuroria Themelore në Gjilan ju njofton se gjatë hetimeve të rastit nuk ka qenë i angazhuar eksperti gjeodet Fisnik Loshi. Pra, prokurori i rastit, Isuf Sadiku, nuk e ka angazhuar të njëjtin dhe se nuk ka pasur njohuri për ekspertin gjeodet z. Fisnik Loshi” – thuhet në përgjigje.
Përmes një përgjigjeje me shkrim, pronari i kompanisë që mori kontrata nga Komuna e Vitisë, Fisnik Loshi, ka thënë se e njeh Florent Eminin, pronarin e kompanisë “Geo-Map” dhe bashkëshortin e pronares së kompanisë “Pro&Co Group”, Armenda Beqiraj. Ai ka shpjeguar pse nuk është tërhequr nga ekspertiza.
“Nuk jam tërhequr nga kjo lëndë sepse detyra për mua ka qenë shumë e qartë: të matet një sipërfaqe asfalti dhe nuk është kërkuar ndonjë interpretim tjetër. Nga dokumentet që kam pranuar me lëndën (fatkeqësisht nuk kam ndonjë kopje të tyre), asnjë nga emrat e të akuzuarve nuk i kam njohur, andaj në rrethana të tilla prapë kisha vepruar njëjtë. I vetmi nga të akuzuarit që e kam takuar pas marrjes së detyrës ka qenë njëri nga ta, të cilin e kam takuar me kërkesë të gjykatës për çështje sqarimi” – ka deklaruar Fisnik Loshi për “KallxoPërnime”.
“Po, e njoh si kompani dhe po besoj që është kompani e madhe dhe njihet nga çdo inxhinier në Kosovë. Nuk kam punuar ndonjëherë si individ për këtë kompani. Nuk e di ose nuk më kujtohet nëse ndonjëherë ua kam ofruar ndonjë CV timen për ndonjë ofertim në formë të parakontratës. Si operator ekonomik figuron në listën e klientëve, por nga sa kërkova nuk po figuron që ndonjëherë të kemi faturuar ndonjë shërbim për ta. Po e njoh Florentin. Shumë herë kemi bashkëpunuar me kompaninë Geo-Map si partner, por edhe shumë herë jemi ndeshur si konkurrentë” – thuhet në përgjigje.
“KallxoPërnime” ka provuar të marrë qëndrimet edhe nga Florent Emini dhe bashkëshortja e tij, Armenda Beqiraj. Shkurt, pronari i kompanisë “Geo-Map”, Florent Emini, nuk pranoi të komentojë rastin, ndërsa pronarja e kompanisë “Pro&Co Group”, Armenda Beqiraj nuk u përgjigj në pyetjet e dërguara në e-mail.
Më 28.11.2025, “KallxoPërnime” publikoi pjesën e parë të hulumtimit i cili zbuloi se shefi i prokurimit në Komunën e Vitisë, Fadil Abazi, nënshkruante kontrata në emër të komunës pa një certifikatë valide të prokurimit.