Edicioni i parë i Panairit të Vullnetarëve të Shëndetit Mendor mbahet të shtunën në Prishtinë
Të shtunën, më 31 korrik, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, do të mbahet për herë të parë në Kosovë, Panairi i Vullnetarëve të Shëndetit Mendor, organizuar nga Qendra për Informim dhe Përmirësim Social (QIPS).
Me qëllim që të shërbejë si pikë referimi për të gjithë ata që duan të kontribuojnë përmes punës vullnetare në përmirësimin e mënyrës se si flitet dhe veprohet për shëndetin mendor, panairi do të grumbullojë në një vend rreth 12 organizata joqeveritare që veprojnë në këtë fushë.
‘Termokiss’, ‘YES Kosova’, ‘Kosovo Innovation and Progress Center’, ‘Bashkë për Shëndetin’ dhe ‘Ditarët e Depresionit’, janë vetëm disa prej organizatave që do të jenë prezente në Panairin e Shëndetit Mendor.
Dorentina Podrimqaku nga QIPS, thotë se përmes projektit më të madh të organizatës, “Linja e Jetës”, është theksuar nevoja për ta ulur stigmën për shëndetin mendor në vendin tonë dhe të normalizohen terapitë dhe kërkimi për ndihmë.
Meqë përmes aktiviteteve të këtyre organizatave në fushën e shëndetit mendor, kanë dalë në pah aftësitë e vullnetarëve për të bërë ndryshime, e gjithashtu nevoja e vazhdueshme për persona që angazhohen, panairi do të promovojë të mirat e punës vullnetare në këtë fushë dhe të mirat që arrihen përmes saj.
Ky panair do t’u shërbejë më së miri “personave të cilët kanë dëshirë të bëjnë punë vullnetare por nuk e dinë ku me e bo”, thotë Podrimqaku.
Panairi i parë, por jo i fundit, i këtij lloji do të mirëpresë vizitorë gjatë ditës së shtunë, më 31 korrik, prej orës 10:00 deri 18:00.
Gjeni këtu vegzën e ngjarjes me të gjitha detajet.