Stenda e Kosovës në Panairin e Librit në Frankfurt: Foto: SHBK.
Libri shqip prezantohet në Panairin e Librit në Frankfurt
Edhe këtë vit Kosova po prezantohet në panairin më të madh të librit në botë – Frankfurter Buchmesse, në Gjermani.
Edicioni i 77-të i këtij panairi është hapur të mërkurën më 15.10.2025 dhe në të po marrin pjesë botues të shumtë dhe prestigjiozë nga mbarë bota.
Kosova, sipas traditës, edhe këtë edicion përfaqësohet nga Shoqata e Botuesve të Kosovës (SHBK), e cila financiarisht po mbështetet nga Ministria e Kulturës.
SHBK ka njoftuar se dhjetëra botues nga Kosova janë pjesë e stendës kolektive të Kosovës, e cila gjendet në sallën 4.1, stendën 96 të këtij panairi.
“Qindra libra e dhjetëra shtëpi botuese janë pjesë e stendës kolektive të Kosovës e cila shërben në fakt edhe si stendë e letërsisë mbarëkombëtare shqipe. Kjo, për të mbajtur traditën dekadëshe të prezantimit të letërsisë shqipe në kryengjarjen e librit në botë”- thuhet në njoftimin e SHBK-së.
Sipas njoftimit, në fundjavë mbahen aktivitete në stendën e Kosovës me autorë të shumtë të pranishëm që promovohen në kuadër të panairit.
Edhe këtë edicioni, sipas SHBK-së, do të prezantohen autorë të njohur shqiptarë, shumë prej të cilëve do të zhvillojnë lexime, intervista dhe takime me lexuesit.
I ftuari i nderit këtë vit në Panairin e Librit në Frankfurt janë Filipinet, përfaqësuar me mbi 100 shkrimtarë, artistë e krijues të tjerë.
Sipas SHBK-së një atraksion i ri në panairin e sivjetmë në Frankfurt është “Centre Stage” në sallën 4.1, ku do të zhvillohen debate themelore mbi tema si: Inteligjenca Artificiale; Liria e shprehjes dhe autoritarizmi, nën titullin “Frankfurt Calling – Perspectives on Culture and Politics”.
Ndërkaq, më 17 tetor do të ketë ngjarje profesionale speciale si masterklasa, ngjarje rrjetëzimi (networking) dhe “Frankfurt Rights Meeting” për agjentët ndërkombëtarë të të drejtave dhe licencave.
Po ashtu do të shënohet edhe 200-vjetori i shkrimi Braille (alfabeti për të verbër), me një ekspozitë në hollin e sallës 4.1, ku gjendet edhe Kosova.
Edicioni i 77-të i Panairit të Librit në Frankfurt mbyllet më 19.10.2025.
