Gjykata e Gjakoves

E akuzuara për status të rremë të veteranes mungon në gjykatë

Violeta Krasniqi, e akuzuar për deklarim të rremë dhe falsifikim të dokumentit me qëllim të fitimit të pensionit si veterane UÇK-së, nuk u paraqit sot para gjykatës.

E akuzuara gjendet në Shqipëri dhe këtë e bëri të ditur bashkëshorti i saj i cili ishte prezent në gjykatë.

E njëjta kishte qenë e ftuar nëpërmjet urdhëresës për sjellje me forcë nga Policia.

Megjithatë, për shkak të mungesës së saj, seanca u shty për 29 korrik.

Sipas aktakuzës, në maj të vitit 2018 e akuzuara në cilësinë e palës në procedurë administrative ka paraqitur deklaratë të rrejshme se kinse ka qenë e regjistruar si ushtare aktive e armatosur e UÇK-së-zona e Dukagjinit, me qëllim të përfitimit të pensionit të veteranes.

Aktakuza shpjegon se më pas e njëjta si aplikuese për pensionin e veteranes ka përdorur dokumentin e falsifikuar- vërtetimin e Zyrës për çështje të Kategorive të dalura nga lufta e UÇK-së në Prishtinë dhe të njëjtën e dorëzon në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale-Departamenti për familjet e dëshmorëve, invalidëve të luftës dhe  viktimave civile.

Kjo aktakuzë është ngritur më 3 shtator 2019.