182 kg marihuanë. Foto: Policia e Kosovës
Dyshohet se transportuan marihuanë në vlerë 400 mijë euro nga Serbia për në Kosovë, arrestohen dy persona
182 kilogramë marihuanë, në vlerë 400 mijë euro, dyshohet se u transportuan nga Serbia në Kosovë.
Për këtë rast, Policia e Kosovës arrestoi dy persona të dyshuar, e të njëjtët u dërguan në mbajtje për 48 orë.
Sekuestrimi i marihuanës e arrestimi i dy të dyshuarve u krye pas një ndërhyrje operative-hetimore.
“Me datën 24.10.2023 rreth orës 21:35, pas informacioneve të shkëmbyera nga Njësia e Task Forcës e Policisë Kufitare – Lindje me Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në zonën kufitare RKS/SRB është ndaluar vetura e dyshuar me targa vendore e cila pas kontrollimit nga njësitë policore tek e njëjta është gjetur sasi e dyshuar e narkotikëve të llojit marihuanë e cila dyshohet se ishte duke u transportuar nga Serbia për në Republikën e Kosovës” – ka thënë PK në njoftimin e saj.
Tutje është thënë se në konsultim me prokurorin kujdestar janë arrestuar dy të dyshuar shtetas kosovarë, Y.H., 25-vjeçar dhe dhe D.H., 33-vjeçar.
Si prova materiale relevante për rastin, PK tha se janë sekuestruar një veturë dhe një kombi me targa vendore të cilat janë përdorur në rast si dhe dy telefona celularë.
Të arrestuarit po dyshohet për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e substancave narkotike”.