Kryetari i degës së LVV në Novobordë, Abdyl Gashi (majtas) dhe i arrestuari për drogë, Rinas Zeqiri, Foto: Facebook.com
Dyshimi për kultivim dhe prodhim të kanabisit, KQZ e decertifikon Rinas Zeqirin nga Lëvizja Vetëvendosje
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për decertifikimin e Rinas Zeqirit, i cili ishte prezantuar nga Lëvizja Vetëvendosje në Novobërdë si kandidat për asamblist në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12.10.2025. Zeqirit dhe tre personave të tjerë i është caktuar paraburgimi prej 30 ditësh nën dyshimin për kultivim dhe prodhim të kanabisit në fshatin Vërbicë të Zhegovcit në Gjilan.
Përveç Rinas Zeqirit, kandidat tjetër i decertifikuar është edhe Selvije Rogaçi në Han të Elezit.
“Kandidatët që rekomandohen për decertifikim janë Rinas Zeqiri, Novobërdë dhe Selvije Rogaçi në Han të Elezit, ndërsa Mitrovicë e Veriut kandidati Jahir Demaku për certifikim, Faton Qerimi për certifikim dhe Afërdita Mustafi për certifikim”- u tha në mbledhjen e KQZ-së të mbajtur më 27.08.2025.
Sipas Prokurorisë, me datë 23.08.2025, rreth orës 15:00, në fshatin Vërbicë e Zhegovcit të Komunës së Gjilanit, të pandehurit pa autorizim kanë kultivuar bimën e kanabisit. Pasi që zyrtarët policorë në Gjilan kanë marrë informacion se në këtë fshat mund të ketë të mbjella bimë narkotike të llojit “Kanabis Sativa” kanë shkuar tek shtëpia e të pandehurit Ardit Sylejmani, dhe gjatë kontrollit në oborrin e shtëpisë, në brendësi të serave të ndërtuara, kanë gjetur të kultivuara 496 bimë të këtij lloji, me gjatësi dy metra, me qëllim të prodhimit të narkotikëve.
Në lidhje me arrestimin e Rinas Zeqirit, KALLXO.com raportoi edhe më 25.08.2025.
Kryetari i LVV-së në Novobërdë, Abdyl Gashi, kishte premtuar se Rinas Zeqiri do të largohet nga lista e kandidatëve për Asamble nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje pas arrestimit të tij nga Policia në lidhje me kultivimin e rreth 500 bimëve kanabis.
“Kam dhënë sqarimin tim publik në llogarinë personale në Facebook, me qëllim informimin e drejtë të qytetarëve. Po ashtu, kam iniciuar kërkesën zyrtare në KQZ për zëvendësimin e kandidatit për Asamblenë Komunale, Rinas Zeqiri”- tha Gashi për KALLXO.com më 25.08.2025.