Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Dyfish më shumë zjarre në korrik se në qershor

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës ka thënë për KALLXO.com se vetëm gjatë muajit korrik janë raportuar 32 raste të zjarrvënies në Polici. Përderisa, në muajin qershor kanë qenë 14, ndërsa në muajin maj 25.

Ditët e fundit, jo vetëm Kosova por edhe shumë vende të rajonit e të botës janë duke u përballur me zjarre që kanë kapur zona malore, por dhe kanë rrezikuar jetët e banorëve.

Madje, po dyshohet edhe për një të vdekur nga tymi i zjarreve që tashmë janë të lokalizuara në Komunën e Malishevës.

KALLXO.com ka raportuar vazhdimit për problemet që kanë shkaktuar zjarret në vende të ndryshme të Kosovës, po ashtu ka përcjellur luftën e zjarrfikësve me zjarr në Komunën e Suharekës dhe atë të ushtarëve të Forcave të Sigurisë së Kosovës në bjeshkët e Rugovës.

Zjarrvënia është vepër penale, këtë e cakton Neni 322 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës në të cilin tregohet se dënimi më i ulët për zjarrvënie është 6 muaj burgim, ndërsa më i larti është burgim i përjetshëm.

Edhe Neni 362 i këtij Kodi, thotë se nëse nuk ndërmerren masa për evitim të zjarrit, personi i dyshuar mund të dënohet deri në një vit burgim. Përderisa, nëse një person parandalon ose pengon personin tjetër nga ndërmarrja e masave për evitimin e zjarrit, mund të dënohet me burgim prej tre muaj deri në tre vjet.